Pasditen e sotme u dha lamtumira e fundit për Eldion Kelmendin, 15-vjeçarin që humbi jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur të premten në fshatin Bllagajë të Pejës.

Ceremonia mortore u mbajt në orën 17:00 në varrezat e fshatit Pavlan të Pejës, ku morën pjesë të afërm, miq dhe qytetarë të shumtë që shprehën dhimbjen dhe solidaritetin me familjen Kelmendi.


Eldioni ishte vëllai i këngëtarit dhe fituesit të Big Brother VIP Albania 4, Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti.

Ngjarja ndodhi pasditen e 26 shtatorit në Bllagajë të Pejës, ku Eldioni humbi jetën teksa po udhëtonte me një katërçikletë.

Përveç tij, një person tjetër që ndodhej bashkë me të mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Vdekja e parakohshme e Eldionit ka prekur jo vetëm familjen Kelmendi, por edhe mbarë opinionin publik.

Reagime të shumta kanë ardhur nga figura të njohura të artit, medias dhe kolegë të Gjestit, të cilët kanë shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre në këto ditë të dhimbshme. /Telegrafi/


Foto: Screenshot

Foto: EkonomiaOnline (Screenshot)