Vandalizuan muralin e vëllezërve Williams shkaku i Nicos - klubi i Athletic Bilbaos del me deklaratë zyrtare

Athletic Bilbao ka reaguar me një deklaratë të fuqishme ndaj polemikave të fundit për të ardhmen e Nico Williams, i cili është përfolur për një transferim të mundshëm te Barcelona.
Deklarata e klubit vjen pak orë pas vandalizimit të muralit të vëllezërve Williams në Barakaldo, ku fytyra e Nicos ishte fshirë dhe ishte shkruar: “Shko ose qëndro, ke treguar mungesë respekti.”
Klubi bask e quajti incidentin të papranueshëm dhe theksoi se Nico është një prej tyre, një lojtar i rritur në akademinë Lezama, i dashur në dhomat e zhveshjes dhe i mbështetur nga tifozët.
“Mosrespektimi i njërit prej nesh është mungesë respekti për gjithë klubin. Ata që ia fshinë fytyrën nuk përfaqësojnë këtë klub”, thuhet në komunikatën e klubit.
Athletic Bilbao pranoi se situata aktuale krijon shqetësim, veçanërisht kur “nxitet nga thashetheme, arrogancë dhe përbuzje ndaj identitetit tonë”.
Klubi gjithashtu njoftoi se ka kontaktuar artistin e muralit, Carlos López, për ta restauruar imazhin sa më parë.
Nico Williams ka kontratë me Athletic Bilbaon deri në 2027, por klauzola e lirimit të tij është përballueshme për klubet e mëdha. Barcelona, nën drejtimin e Hansi Flick, shihet si destinacioni më i mundshëm.
Megjithatë, Athletic e mbyll deklaratën duke riafirmuar vlerat e saj: “Athletic Bilbao është më shumë se një klub. Është një familje e bashkuar nga një mënyrë e veçantë e të kuptuarit të futbollit – një identitet që as blihet, as shitet”. /Telegrafi/





















































