LAJMI I FUNDIT:

“The Van”: Aktorët rrëfejnë prapaskenat e filmit që konkurron në Kanë

“The Van”: Aktorët rrëfejnë prapaskenat e filmit që konkurron në Kanë

Për herë të parë një film shqiptar konkurron në festivalin e Kanës. Filmi i regjisorit Erenik Beqiri ka triumfuar mes 4240 produksioneve nga e gjithë bota, si një nga 11 më prodhimet më të mira kinematografike, që shfaqet për herë të parë në këtë event.

Anila Dedaj


Kur ai pa për herë të parë filmin “Bon Appetit”, që sot numëron disa çmime në festivale kombëtare e ndërkombëtare, e nuhati sa pas tij qëndronte një kineast i ri, i talentuar. Ecejaket e një burri në terrin e tuneleve të një ndërtese të harruar, e masandej përballja me një kamerier të gatshëm për të shërbyer darkën “speciale” me mish njeriu e impresionuan Lulzim Zeqën.

Parashikimi i aktorit, se skenaristin e regjisorin Erenik Beqiri, që kishte ndezur një dritë të re shprese në kinematografinë tonë, e priste një e ardhme e ndritur, nuk vonoi të përmbushej. Kineasti i ri bëri të mundur që filmi shqip të prekte për herë të parë Festivalin e Kanës në edicionin e saj të 72-të. “The van” është një nga 11 filmat që u përzgjodh mes 4240 produksionesh me metrazh të shkurtër nga e gjithë bota, të cilët do të shfaqen për herë të parë në këtë event (14-25 maj në Kanë).

“E kam ditur që në krye të herës se Ereniku do të sjellë në vendin tonë një kinema ndryshe, pasi ka një tjetër qasje nga kinemaja që është lëvruar deri më sot” , shprehet Zeqja.

Kur regjisori Erenik Beqiri do t’i propozonte atij, që t’i bashkohej aventurës së quajtur “The van”, që ishte njëherazi edhe një sfidë, aktorit nuk iu desh shumë kohë që të mendohej.

“Pasi lexova skenarin, më pëlqeu tmerrësisht shumë, dhe s’mund të bëja tjetër veç të pranoja”, tregon ai.

Nuk ka qenë i thjeshtë realizimi i filmit me metrazh të shkurtër (15 minuta), që siç aktori tregon, nuk ka pasur asnjë mbështetje nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Me fillime të pasigurta nga ana financiare, edhe pse Zeqja rrëfen se është shpërblyer për të, ai gjithsesi deshi që të ishte prezent në këtë prodhim premtues: “Për mua kryesorja ishte që kisha të bëja me një film shumë të mirë. Me një skenar që më bëri t’i besoj që në fillim, duke përmbushur çdo pritshmëri timen. Sot jam i lumtur, që i besova intuitës, impaktit që më dha ai skenar në momentin e parë që e lexova”.

“The van” trajton historinë e një djali të ri, që në kërkim të lirisë së tij, përpiqet të ndërmarrë rrugën si refugjat. Asgjë s’do të jetë e lehtë për djaloshin, i cili si të vetmen rrugë për t’u larguar nga Shqipëria do të përfshihet në një ndeshje jo të zakontë. Një ndeshje që zhvillohet në një furgon, i cili bën një trajektore të caktuar, e që vetëm në fund të saj, do të zbulohet se kush ka fituar.

Roli i Zeqës në këtë prodhim shqiptaro-francez është ai i sekserit, i cili merr paratë nga personazhi për t’i dërguar tek organizatori i ndeshjeve.

Tek “The van” një pjesë e madhe e ekipit është franceze (një zgjedhje e domosdoshme edhe për shkak të fondeve që nevojiteshin, siç vet regjisori është shprehur); që nga personazhi kryesor Phenix Brossard, drejtori i fotografisë, grimi, zëri, post produksioni etj.

“Ishte një staf i jashtëzakonshëm. Është bërë një punë shumë serioze. Edhe pse është një film i shkurtër, mua më dukej sikur po xhirohej një film me metrazh të gjatë. Kjo për nga energjia, serioziteti e përkushtimi i të gjithë stafit. Qoftë nga pjesa shqiptare, ashtu edhe ajo franceze, ka qene një staf shumë kompakt dhe funksional”.

Aktori tregon se për të ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe me aktorët dhe pjesën tjetër të produksionit ka pasur bashkëpunim.

“Kishim shumë mirëkuptim, sikur të kishim punuar dhe herë të tjera me ta. Ka qenë një atmosferë shumë pozitive”.

Në këtë prodhim kinematografik, aktori nënvizon mbështetjen e “Anima picture”, të cilët besuan tek ky film dhe bën të mundur që të vijonte rrugëtimin.

Xhirimet e filmit janë bërë në pjesën më të madhe të tij në Tiranë, ndërsa afro 10 për qind e tij është realizuar në Portin e Durrësit.

“Pjesët e filmit ku unë kam interpretuar janë xhiruar pranë Komunës së Parisit dhe Autostradës Tiranë-Durrës. Në këtë të fundit, ka pasur disa xhirime që konsistojnë në takimin që unë bëj me babanë e personazhit kryesor. Arben Bajraktaraj është një aktor realisht i mirë, dhe po aq i jashtëzakonshëm është edhe protagonisti. E vlerësoj shumë punën që ai kishte bërë për të mësuar shqipen”, rrëfen Zeqja.

Zeqja shprehet optimist për kineastët e rinj, që po jetësojnë produksione të një cilësie të mirë, duke theksuar nevojën që ata kanë për mbështetjen e institucioneve përkatëse.

“Sapo kam përfunduar xhirimet me Ervis Lulen, një regjisor i ri me një tjetër qasje ndaj kinemasë, që është gjithashtu premtues. Po kaq optimist më bëjnë të jem për të ardhmen e filmit shqiptar, edhe kineastë, si Bernart Laze. Janë talente të reja, në prodhimet e të cilëve, unë kam zgjedhur të jem prezent. Unë mund të them me bindje, se këta emra do të jenë shumë produktiv në kinemanë tonë. E them këtë për shkak të dhuntisë, energjisë e përkushtimit që kanë. Por, është shumë e rëndësishme që këta talente, të rinj me vullnet e ëndrra të përkrahen si nga Qendra e Kinematografisë, ashtu edhe nga institucionet e tjera shtetërore”.

Erenikun aktori e konsideron si një nga përfaqësuesit e këtyre emrave, dhe ashtu si herën e parë që mundi të shikojë “Bon Appetit”, apo kur lexoi skenarin e “The van”, pritshmëritë e tij janë ende të mëdha.

“Jam i bindur se kudo që të shfaqet ky film, kritika ka për të folur mirë. Edhe nëse nuk vjen me çmim, recensionet dhe impresionet e publikut do të jenë pozitive”.

Tek “The Van”, aktori Afrim Muçaj nga Kosova luan rolin e Leos, një bastexhiu mafioz, që bën biznes përmes ndeshjeve në furgon. Një nga të punësuarit do të jetë edhe protagonisti (Phenix Brossard), i cili do të përpiqet të sigurojë në këtë mënyrë paratë e nevojshme, për të emigruar. Aktori tregon se që prej fillimit ka qenë i intriguar nga skenari i filmit, çka e ka nxitur edhe më tepër të bëhej pjesë e xhirimeve.

“Për një temë si emigrimi, të lëvruar shpeshherë, qasja e Erenikut ka qenë krejt e veçantë. Mënyra e trajtimit më ka impresionuar, pasi shpesh kineastët i mëshojnë vuajtjes, largimit përmes maleve e fushave. Ndërsa në këtë rast ka pasur një lëvrim ndryshe, shumë kreativ dhe urban. Ka shmangur patetizmat shpesh prezente në tema të tilla, duke e nxjerrë në një format që mund të udhëtojë në të gjithë botën”.

Filmi “The Van”, siç edhe regjisori ka pohuar, është menduar që në fillim nga producentët për në Kanë. Mirëpo, ndryshe nga Beqiri, i cili është treguar i kursyer në deklaratat e tij në lidhje me një fitore të mundshme (“Jam i kënaqur që filmi është i mirë. Statuja?! Nëse ndodh, OK!”, është shprehur regjisori), aktori Afrim Muçaj ka pritshmëri të larta.

“Jam i bindur që do të triumfojmë në Festivalin e Cannes”, shprehet ai.

Fakti që filmi u përzgjodh ndër 11 filmat m të mirë në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër, e bënë “The Van”, sipas Mucajt, të barabartë me të gjithë filmat e mundshëm.

“Besimi im se mund ta fitojmë statujën, mbështetet pikërisht tek cilësia. Kemi një film shumë të mirë! Një skenar të veçantë dhe shumë kreativ. Fitorja nuk do të më habiste, përkundrazi do të fluturoja nga gëzimi”, thotë aktori.

Muçaj shprehet entuziast për rrugëtimin e filmit shqiptar në festivale të rëndësishme ndërkombëtare dhe shprehet se një frymë e tillë vjen edhe pas kundrimit të regjisorit të ri në treg.

“Veçanërisht në Ballkan, e nëse flasim konkretisht për Kosovën dhe Shqipërinë vërehet një prurje shumë e mirë dhe intriguese. Po i shtohen tregut regjisorë që po sjellin një energji të re, që kanë një pasion të madh ndaj këtij profesioni. Vullneti, përkushtimi i tyre më bën të mendoj se po bëhen filma të mirë”.

Ai pohon faktin se kombi ynë është ende pas përsa i përket hapave që janë bërë në kinematografinë ndërkombëtare, por arritjet e fundit e bëjnë optimist.

“Kosova u nominua në çmimet Oscar me filmin ‘Shok’, tanimë dhe Shqipëria nominohet në Festivalin e Kanës, kështu që asnjëherë nuk është vonë. Arritje të tilla janë privilegj edhe për shtetin”.

Aktori Afrim Muçaj, që është në rolin e bastexhiut (“The Bookmaker”) rrëfen edhe bashkëpunimin me protagonistin Phenix Brossard, i cili në këtë film ka interpretuar në shqip.

Brossard është 27-vjeç dhe ka interpretuar në seriale të njohura dhe filma si “La lisiere”, “Departure”, “Vaurien” etj.

“Shumicën e skenave në këtë film i kam me të dhe fatkeqësisht ai ka pasur disa vështirësi përsa i përket gjuhës. Për të ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme. Po mendoj se ja ka dalë jashtëzakonisht mirë”, tregon Muçaj.

Aktori vlerëson ndër të tjera atmosferën pozitive të krijuar në sheshxhirim, pasi diçka e tillë sipas tij ndikon edhe tek puna.

“Kemi kaluar realisht shumë mirë, edhe në ‘backstage’. Kemi shëtitur në Tiranë duke krijuar një frymë miqësore që vijon edhe pas filmit”.

Për Afrim Muçajn, që gjatë vitit që lamë pas ka marrë pjesë në 4 filma me metrazh të gjatë, kjo eksperiencë ka pasur edhe vështirësi.

“Nuk e kisha luksin e kohës që kisha tek filmat e gjatë. Kështu mu desh të mblidhja të gjitha energjitë për të dhënë më të mirën në këtë rol. Por skenari, cilësia e filmit dhe siç ai pohon ‘dashnia’ e madhe brenda ekipit e bën që të shprehet me bindje se: ‘Ja ka vlejtur!’ Ka qenë një nga punët e bëra më me entuziazëm, një eksperiencë shumë e mirë. Më herët nuk e kam njohur Erenikun. Ai më kontaktoi pasi pa disa nga filmat e mi dhe jam i lumtur që ky bashkëpunim lindi. Për xhirime udhëtova nga Kosova drejt Tiranës, dhe aty gjeta një mikpritje të jashtëzakonshme. Si prej palës shqiptare, ‘Anima Picture’, produksionit francez, e padyshim Erenikut. Ka qenë një punë jashtëzakonisht e madhe”, tregon Muçaj.

Xhirimet e “The van”, siç aktori tregon, shpesh kanë nisur prej orës gjashtë të mëngjesit, e kanë vijuar deri në mbrëmje, kështu që lodhja nuk ka munguar. E megjithatë ai përsërit se: “Ja ka vlejtur jashtë mase! Veçanërisht rezultati i fundit na ka bërë t’i harrojmë të gjitha lodhjet”.

Muçaj vlerëson ndër të tjera sjelljen e regjisorit të ri ndaj stafit, i cili është munduar sipas tij, të krijojë një raport shumë të mirë regjisor-aktor: “Diçka e tillë është reflektuar edhe tek interpretimi, dhe besoj se ja kemi arritur qëllimit bashkë me regjisorin”.

Protagonisti i filmit “The van” është aktori 27-vjeçar franez Phenix Brossard. Arben Bajraktaraj interpreton në rolin e babait, ndërsa Afrim Muçaj është një antagonistët që merret me organizimin e ndeshjeve fizike në një furgon, për të fituar përmes basteve. Lulëzim Zeqajt në rolin e “sekserit” i bashkohen aktorët Romir Zallaj, Elvin Minaj, si dhe Ismail Keta në rolin e mundësit. /Shekulli/

Në trend Kultura

Më shumë
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Fjala+
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
Thënie të Anton Chekhovit

Thënie të Anton Chekhovit

Fjala+
Kalo në kategori