LAJMI I FUNDIT:

UT: Vazhdojnë studimet e disperzuara në Shkup dhe Kërçovë

UT: Vazhdojnë studimet e disperzuara në Shkup dhe Kërçovë

Pas përfundimit të procesit të regjistrimit të studentëve të rinj në vitin akademik 2017 / 2018, Universiteti i Tetovës, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Rektoratit e ka diskutuar situatën e krijuar në programet studimore të disperzuara në qytetet e RM-së.

“Me qëllim të evitimit të të gjitha spekulimeve dhe paqartësive, që po përhapen në opinionin publik, i njoftojmë studentët tanë, prindërit e tyre dhe mbarë opinionin publik se, udhëheqësia e Universitetit vijon angazhimet e saja institucionale për organizimin e studimeve të disperzuara në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë”, thuhet në kumtesën e UT-së.


Në kumtesën e UT-së thuhet se presin që Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë, do ta respektojë Vendimin e saj për të mbështetur financiarisht procesin arsimor në qytetet ku zhvillohen studimet e disperzuara.

Këshilli i Rektoratit i UT-së, në funksion të këtij qëllimi, në bazë të Konkursit për regjistrim, ka vendosur që procesi mësimoro – shkencor do të vijojë të zhvillohet edhe në studimet e disperzuara në qytetin e Shkupit dhe të Kërçovës, në drejtimet studimore që është formuar grupi, përkatësisht është plotësuar numri i nevojshëm mbi 20 studentë.

Stafi drejtues i Universitetit të Tetovës, thuhet në kumtesë, është i përkushtuar në përmbushjen e kërkesave të të gjithë studentëve pa dallim, gjithmonë duke e respektuar Statutin e Universitetit, rregulloret e punës dhe Ligjin për arsimin e lartë në vendin tonë./Telegrafi/