LAJMI I FUNDIT:

Ushtrisë së Kosovës i shtohen edhe 311 ushtarë të rinj, Konjufca: Ushtria jonë po rritet e po forcohet

Ushtrisë së Kosovës i shtohen edhe 311 ushtarë të rinj, Konjufca: Ushtria jonë po rritet e po forcohet

311 kadetë të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) sot me një ceremoni shtetërore kanë dhënë betimin e tyre si ushtarë të rinj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë certifikimit të 311 ushtarëve të rinj ka thënë se konkursi i radhës do të hapet më 28 nëntor për pranimin e mbi 600 ushtarëve.


Ai po ashtu tha se e rëndësishme është që ushtria ta ketë popullin me vete.

“Jemi këtu për të  shënuar suksesin tuaj gjatë nëntë javëve. Jeni grupi më i madh që është certifikuar në ushtrinë tonë. Gjithsej 311 ushtarë. Konkursi i radhës do jetë më 28 nëntor, ku do të hapim konkursin për pranimin e mbi 600 ushtarëve të rinj.

Armend Mehaj, ministër në Ministrinë e Mbrojtjes /Foto: Ridvan Slivova/

“Më e rëndësishme është që popullin ta keni me vete e populli është me ju. Të kujdeseni për prindërit tuaj e kemi amanet nga dëshmorët. Të nderuar ushtarë rrugëtimi ynë do të ishte i pamundur pa aleatët tanë. Do të përmbushim çdo obligim të familjes sonë të madhe. Këta do t’i dalin zot Kosovës”, ka thënë Mehaj.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë ceremonisë së kadetëve të rinj ka thënë se sot po përmbyllet një fazë e rëndësishme e rekrutimit të 311 ushtarëve të rinj.

“Sot po përmbyllet kjo fazë e rëndësishme e rekrutimit përmes certifikimit të 311 ushtarëve të rinj. Ushtria jonë po rritet e po forcohet në Kosovën tonë sovrane e demokratike. Ushtria është e shtetit dhe shteti është i popullit. Por, për të lindur ky shtet u deshtë shumë mund, sakrificë e përpjekje. Kjo përpjekje kulmoi me luftën e drejtë të UÇK-së, çlirimin e atdheut dhe largimin e okupatorit serb. Liri jonë e shenjtë i ka rrënjët në këtë luftë të lavdishme. Shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie. E kjo vlerë u rrit me mençuri. Për ta mbrojtur shtetin tonë e kemi FSK-në”, ka thënë Konjufca.

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës /Foto: Ridvan Slivova/

Sipas tij, Kosova nuk është shtet që ka pretendime territoriale, por siç tha Konjufca Kosova po ndihet e kërcënuar nga Serbia.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm si popull se gjithçka që arritëm e bëmë së bashku me miqtë tonë ndërkombëtarë. Orientimi ynë është i qartë. Duam të jemi pjesë e NATO-s, Aleancës më të fuqishme të botës që i përfshin shtetet demokratike. Nuk jemi shtet që kemi pretendime territoriale, jemi republikë demokratike. Por ndihemi të kërcënuar nga Serbia. Paqja jonë po rrezikohet nga agresioni i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropian pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe Serbia nga Kosova”, ka thënë Konjufca. /Telegrafi/