Ushtria amerikane realizuan një sulm të ri ndaj një anijeje në Karaibe, ku tre persona u vranë, konfirmoi ministri i Luftës, Pete Hegseth.

Ky është sulmi i fundit në një seri goditjesh vdekjeprurëse në kuadër të fushatës të administratës së presidentit Donald Trump kundër trafikimit të drogës.


"Sot, me urdhër të presidentit Trump, Ministria e Mbrojtjes realizoi një goditje fatale ndaj një anijeje që drejtohej nga një organizatë që autoritetet amerikane e konsiderojnë si terroriste", shkroi Hegseth në një postim në rrjetin social X dhe shtoi se "anija po trafikonte narkotikë në Karaibe dhe u godit në ujërat ndërkombëtare".

Hegseth shtoi se forcat amerikane nuk pësuan humbje në sulm. Ky incident është pjesë e një fushate më të gjerë për të cilën Uashingtoni thotë se ka për qëllim ndalimin e fluksit të drogës në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë 17 sulmeve të deritanishme, ushtria amerikane ka vrarë gjithsej 70 persona dhe ka shkatërruar 18 anije. Janë regjistruar vetëm tre të mbijetuar – dy prej tyre u mbajtën përkohësisht nga marina amerikane para se të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës, ndërsa i treti konsiderohet i vdekur pas një kërkimi të realizuar nga marina e Meksikës.

Administrata Donald Trump e ka njoftuar Kongresin amerikan se janë në "konflikt të armatosur" me kartelat e drogës që nga data 2 shtator dhe ata që janë vrarë janë cilësuar si "luftëtarë armiqësorë".

Me këtë, administrata pretendon se ka autoritet për të realizuar sulme fatale pa mbikëqyrje gjyqësore, duke u mbështetur në një urdhër sekret të Ministrisë së Drejtësisë.

Megjithatë, disa anëtarë të Kongresit dhe organizata për të drejtat e njeriut kundërshtojnë këtë bazë ligjore.

Ata thonë se trafikanët e dyshuar të drogës duhet të ndiqen penalisht, siç ka qenë praktika para se Donald Trump të merrte detyrën e presidentit. Një kontroversë shtesë krijon edhe fakti që administrata deri tani nuk ka bërë publike. /Telegrafi/