LAJMI I FUNDIT:

Ushtria amerikane ka vrarë liderin e ISIS-it në Somali, Bilal al-Sudani dhe dhjetë terroristë të tjerë

Ushtria amerikane ka vrarë liderin e ISIS-it në Somali, Bilal al-Sudani dhe dhjetë terroristë të tjerë

Udhëheqësi i të ashtuquajturës Shteti Islamik në veri të Somalisë, Bilal al-Sudani, është vrarë në një operacion ushtarak amerikan.

Dy zyrtarë të lartë të administratës së Joe Biden, kanë konfirmuar se është kryer një operacion në të cilin është vrarë një lider dhe 10 anëtarë të tjerë të organizatës terroriste, transmeton Telegrafi.


Ata deklaruan se aksioni u krye në bazë të vlerësimit se Bilal al-Sudani nga kompleksi i tij i shpellave malore në veri të Somalisë mbështeti zgjerimin e ISIL-it, si dhe aktivitetet e tyre në të gjithë Afrikën dhe jashtë kontinentit, duke përfshirë Afganistanin.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Al-Sudani u vra më 25 janar me urdhër të presidentit amerikan.

“Asnjë civil nuk u lëndua në këtë operacion. Ne u jemi mirënjohës anëtarëve tanë të shquar të shërbimit, si dhe komunitetit tonë të inteligjencës dhe partnerëve të tjerë ndërinstitucional, për mbështetjen e tyre në këtë operacion të suksesshëm kundër terrorizmit”, shtoi Austin.

Ata theksojnë se plani ishte kapja e Al-Sudanit, por përgjigja e forcave armike rezultoi në vdekjen e tij. Gjithashtu thuhet se asnjë ushtar apo civil amerikan nuk është vrarë, dhe se një pjesëtar i operacionit ushtarak është lënduar pasi është kafshuar nga një qen ushtarak amerikan.

Është e pazakontë që SHBA të kryejë një operacion kundër ISIL-it në Somali, sepse operacionet ushtarake këtu zakonisht janë përqendruar te luftëtarët nga Al-Shabab, që konsiderohet si grupi dominues terrorist në Somali.

Megjithatë, është një vazhdimësi e strategjisë së administratës Biden për të luftuar kërcënimet terroriste. Në fund të vitit të kaluar, forcat amerikane vranë gjithashtu dy nga udhëheqësit kryesorë të ISIL-it në një sulm ajror në Siri. /Telegrafi/