Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) tha se marrëveshja për armëpushim në Gaza përbën një “mundësi jetike” për të mbrojtur një milion fëmijë në enklavën palestineze.

“Operacionet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës kanë shkaktuar shkatërrim të plotë. Fjalët dhe shifrat nuk mund ta përshkruajnë dot përmasën e ndikimit që pashë tek fëmijët – një ndikim që do të zgjasë për breza të tërë”, tha në një deklaratë Drejtori Rajonal i UNICEF për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder.


Ai theksoi se armëpushimi në Gaza, i cili “ofron një mundësi jetike për mbijetesën, sigurinë dhe dinjitetin e fëmijëve”, nuk duhet të dështojë.

“Do të duhet kohë, por një e ardhme gjithëpërfshirëse që vë në qendër të drejtat e një milion fëmijëve të Gazës është e mundur përmes paqes, veprimit dhe vullnetit të përbashkët”, tha Beigbeder.

Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 64.000 fëmijë janë vrarë ose plagosur, dhe mbi 58.000 kanë humbur një prind që nga shpërthimi i luftës të Tel Avivit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023.

“Një milion fëmijë kanë përjetuar tmerrin e përditshëm të mbijetesës në vendin më të rrezikshëm në botë për të qenë fëmijë, duke mbetur me plagë frike, humbjeje dhe dhimbjeje”, tha Beigbeder.

Ai shtoi se UNICEF po punon për t’i shpëtuar fëmijët nga “kërcënimet e parandalueshme si kequshqyerja, sëmundjet dhe i ftohti dimëror”.

Bëhet e ditur se UNICEF ka siguruar arsim për mbi 100.000 fëmijë palestinezë në Gaza, ndërsa po punohet për të rikthyer të gjithë 650.000 fëmijët e moshës shkollore në procesin mësimor.

Drejtori rajonal bëri thirrje për “lëvizje të sigurt, të shpejtë dhe të pakufizuar” të ndihmës humanitare drejt Rripit të Gazës, duke vënë në dukje një rritje të sasisë së ndihmave të lejuara nga UNICEF, të cilat megjithatë mbeten të pamjaftueshme për nevojat e civilëve në Gaza.

Ai kërkoi që Izraeli të hapë njëkohësisht të gjitha pikat kufitare për hyrjen e ndihmave humanitare dhe pajisjeve të nevojshme, duke lejuar që ndihmat të kalojnë nëpër të gjitha rrugët e mundshme të furnizimit, përfshirë ato përmes Egjiptit, Izraelit, Jordanisë dhe Bregut Perëndimor. /AA/