LAJMI I FUNDIT:

56 për qind e bizneseve në Kosovë kishin ndaluar plotësisht punën gjatë pandemisë COVID-19

56 për qind e bizneseve në Kosovë kishin ndaluar plotësisht punën gjatë pandemisë COVID-19

Mbi gjysma e bizneseve në Kosovë kanë ndaluar plotësisht aktivitetet e tyre gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 dhe se mbi 40 për qind e tyre kanë pasur ndikim financiar.

Kështu thuhet në raportin “Vlerësimit i Tretë të Ndikimit Socio-Ekonomik”, prezantuar nga UNDP, UN Women dhe UNFPA.


“Bizneset e Kosovës janë prekur negativisht nga pandemia me ndikim të rëndësishëm në punën e tyre të përditshme. Pas masave kufizuese, 56 për qind e bizneseve kishin ndaluar aktivitetet e tyre plotësisht në maj 2020 përderisa në mars 2021, vetëm 13 për qind e bizneseve raportuan se kishin ndaluar plotësisht aktivitetet e tyre. 41 për qind e bizneseve deklaruan që ndikimi financiar i pandemisë ishte shumë negativ”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Për sa i përket humbjeve të vendeve të punës, në këtë vlerësim tregohet se niveli papunësisë vazhdon të jetë i njëjtë në nivelin e nëntorit të 2020-së.

“Humbjet e vendeve të punës janë akoma në të njëjtin nivel me nëntorin e vitit 2020, ku 11 për qind e të anketuarve raportuan se kishin humbur vendet e tyre të punës, krahasuar me 8 për qind në maj të vitit 2020. Shumica e atyre që kishin humbur punën ende nuk morën mbështetje financiare ose përfitime të papunësisë nga institucionet ose komunat”, tregohet në vlerësim.

Si ndikoi COVID-19 në familje? 52 për qind e të anketuarve mendojnë se dhuna është rritur, gratë shpenzojnë më shumë kohë në punët e shtëpisë dhe gatim
Lexo po ashtu Si ndikoi COVID-19 në familje? 52 për qind e të anketuarve mendojnë se dhuna është rritur, gratë shpenzojnë më shumë kohë në punët e shtëpisë dhe gatim

Lidhur me pronësinë e bizneseve, UNDP shpjegon se gratë e kanë pasur më vështirë ta përballojnë situatën e pandemisë.

“Kur të krahasohen të dhënat mbi tre raundet e vlerësimit, duket se bizneset në Kosovë janë më të sigurta në aftësitë e tyre përballuese në mars 2021 krahasuar me nëntorin dhe majin e vitit 2020. Sidoqoftë, shumë më pak biznese në pronësi të grave kanë deklaruar se biznesi i tyre mund të përballojë situatën aktuale të pandemisë për më shumë se gjashtë muaj me 21 për qind krahasuar me bizneset në pronësi të burrave me 32 për qind”, shpjegon UNDP.

Në fund, raporti tregon se kundërshtimi ndaj masave kufizuese është rritur gradualisht.

“Kundërshtimi ndaj masave kufizuese është rritur gjithashtu gradualisht që nga maji i vitit 2020 kur 22 për qind kundërshtuan deri diku. Në nëntor 2020, 58 për qind e bizneseve kundërshtuan kufizimet deri në një masë dhe në mars 2021 ishte 61 për qind”, përfundon raporti. /Telegrafi/