LAJMI I FUNDIT:

Letërsia flet kundër krimeve edhe kur flet vetëm për pemët!

Letërsia flet kundër krimeve edhe kur flet vetëm për pemët!
Umberto Eco

Nga: Umberto Eco (Parathënia e veprës “Fjalë të lirisë”)
Përktheu : Eda Agaj

Para këtij volumi doli në italisht më 1998, “Shkrimtarë nga burgu” (Feltrineli), përkthim i “This Prison Where I Live” (Ky burg ku unë jetoj), botuar dy vjet më parë nga Cassell Academic në Londër, për të shënuar 75-vjetorin e Pen Klubit dhe për të përkujtuar “mbijetesën e shkrimtarëve të shumtë që janë dënuar padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetepesë viteve”. Tani ja kjo përmbledhje e dytë që, edhe pse e titulluar me një si apel lirie, është shkruar përsëri nga persona të cilët gati të gjithë e kanë humbur lirinë për periudha pak a shumë të gjata, kanë pësuar burgun, torturën, arrestin apo ekzilin.


Peni nuk merret ekskluzivisht me shkrimtarët e burgosur, por dhe me ata që i kanë këmbët të lira; megjithatë duket gati i detyruar t’i kushtojë jo vetëm një libër kësaj teme që, në një botë më pak të çmendur, duhet të jetë e jashtëzakonshme – por nuk është. Ne që jetojmë në vende demokratike nuk e kuptojmë mbase se si një lloj forcë perverse magnetike vendos në një gjendje të ndërsjellët tërheqjeje burgun dhe letërsinë.

Nga ana tjetër, nuk është histori e re. Duke filluar nga Zenoni i Eleasit që burgoset dhe torturohet nga tirani dhe, duke u shtirur se do t’i zbulonte nën zë emrat e bashkëpunëtorëve të tij, i këput me një të kafshuar një vesh. Për të mos thënë për Sokratin që, mes Critonit e Fedonit, na thotë gjërat më të paharrueshme për respektimin e ligjit dhe pavdekshmërinë e shpirtit, ndërsa në burg pret e pastaj përballon vdekjen. Për të vazhduar me Silvio Pellicon e me Gramscin – por jo se me ta mbyllet seria.

Çfarë i bën kaq solidarë qelinë dhe të shkruarit?

Ajo që u gabua në parathënien e volumit të mëparshëm, duke thënë se përkujtonte “mbijetesën e shkrimtarëve të shumtë që janë burgosur padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetepesë vjetëve”. Përse “padrejtësisht”? Drejtësisht, do të thosha, të paktën nga këndvështrimi i regjimeve që i kanë arrestuar e dënuar me heqje të lirisë. Për të përligjur kërkesën e dënimit me burg nuk është e nevojshme që një shkrimtar të lëvizë dhe ose fuqishëm si subjekt politik e si Zenoni të komplotojë aktivisht kundër tiranit.

Shihet qartë në këtë libër ngjarja e Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese “të trishtuara dhe hermetike” e pra, kundër regjimit. Pastaj, praktika i kaloi automatikisht Komitetit Qendror të Partisë shqiptare e Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vite burg. Puna është se, poezia i shkakton frikë regjimeve autoritare e diktatoriale edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit, për trëndafila.

Ishte tepër kërkues e puritan Brehti, që në vitet ’50 i futi të gjithë në krizë, duke lajmëruar që në kohëra si të tijat (e tonat) edhe të folurit për pemët do të kishte qenë një krim, sepse do të ishte e barasvlershme me heshtjen mbi vuajtjen dhe krimet që na rrethojnë. Jo, fatmirësisht letërsia flet kundër krimeve edhe kur flet vetëm për pemët.

Përse deri dhe pemët e poetëve dhe tregimtarëve i shkaktojnë kaq frikë tiranit?

Sepse, sidoqoftë shkrimtari flet dhe për faktin e vetëm, që të fiksojë vëmendjen tonë në lëvizjen ndryshe të tyre, në atë mënyrë që kurrë s’ishte bërë më parë, se kush shkruan, ashtu siç sugjeron në këtë libër Abdellatif Laàbi, refuzon “uniformën prej majmuni, qëndrimin gatitu, himnin hakmarrës, zhurmimin e çizmeve, marshimet e detyruara, telat me gjemba të atdheut, marrëzinë e konsenseve, murtajën e krenarisë, burgun e një gjuhe e të një feje vetëm, folklorin e flashkët me shenjat dalluese: mënyrën e të krehurit, kapën, mjekrat, trukun, medaljonet, stolitë, unazat, rozaret, hajmalitë e gjithë kinkaleritë që prej kohësh janë servirur për të mashtruar popullin”. Sa napa të parapara qysh nga djepi për ne, letërsia shqyen e hedh mbi fytyrën e tmerrshme të molokëve-përbindësha që do të donin të na varrosnin të gjallë…

Sigurisht, si qenie njerëzore duhet vetëm të qahemi që shumë persona kanë humbur lirinë e vuajtur në mënyrë të papërshkrueshme, vetëm sepse kanë folur apo kanë refuzuar të flasin. Dhe Peni, si shumë organizata të tjera, ekziston pikërisht për të kërkuar të nxjerrë shumë shkrimtarë nga terri i një dënimi pa fund. Por, me një lloj cinizmi fetar, qoftë e lejuar të themi se vetë ekzistenca e këtyre shkrimtarëve të burgut na përforcon e sqaron për shumë që nuk kuptojnë, përse shërben letërsia: të thotë gjithnjë diçka që nuk ngushëllon kë praktikon, si një fe, pabesinë.

Nga dëshmitë e këtij libri spikat se gjithmonë, pas vuajtjeve e përungjieve të tilla që ligështojnë çdo energji, të gjithë këta të dënuar ia kanë dalë mbanë të gjejnë entuziazmin e krijimit letrar, pasi dolën nga burgu, e disa prej tyre e kanë ruajtur edhe gjatë burgosjes, duke shkruar në burg, duke shkruar për burgun, ndonjëherë duke i bërë vjershat e tyre me mend, kur nuk kishin as letër ku të ruhej një shenjëz. Si të thuash, prapë duke përdorur cinizmin, veçimi i bën mirë letërsisë. Nga ana tjetër e thoshte me fjale të tjera Josif Brodskij në parathënien e “Shkrimtarë nga burgu”: kufizimi i hapësirës, kompensuar nga tepria e kohës, e ka bërë burgosjen si “mamí të letërsisë”, si “mjet transporti epifanik”. Tepër? Ia lëmë përgjegjësinë e këtij mistifikimi të burgut dikujt si Brodskij, që ishte vetë atje poshtë. Nga ana tjetër dihet që dhimbja shpesh, në format e saj të ndryshme, nuk e ligështon, por e mpreh spiritualitetin dhe vuajtja bëhet burim kreativiteti.

Nuk jam duke bërë letërsi vuajtjeje të tjetërkujt. Nuk hidhen në qeli shkrimtarët nga që tmerri i bën më perceptues, ashtu si tridhnin djelmoshat që të bëheshin këngëtare të mirë për Cappella Sistina, ose kompraçiosët deformonin tiparet e “Njeriut që qesh”. Vetë ky libër është një apel që asnjë të mos privohet nga liria për shkak të asaj që ka shkruar. Dhe, apeli vjen nga ata që kanë mprehur aftësitë e tyre për të paraqitur tmerrin dhe marrëzinë (banalitetin e së keqes) pikërisht, duke përdorur si armë ndëshkimin që u ishte ushtruar.

Prej kësaj, kundërshtimi i tiranëve, që duke hedhur shkrimtarët në humbella, që t’i heshtojnë, bëhet bashkëpunim për të përforcuar zërin.

Në trend Kultura

Më shumë
Paraqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave

Paraqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave

Skulptura
INTIME

INTIME

Poezi
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
“Koncert në vitin 1936”

“Koncert në vitin 1936”

Kulture
Gerard de Nerval dhe pashai shqiptar i Akrës

Gerard de Nerval dhe pashai shqiptar i Akrës

Kulture
Kalo në kategori