LAJMI I FUNDIT:

Ultrazëri i gjëndrës tiroide, gjëndrave limfatike dhe indeve të buta të qafës

Ultrazëri i gjëndrës tiroide, gjëndrave limfatike dhe indeve të buta të qafës

Dr. Lendita Kamberi,
Specialiste e radiologjisë

Ultrazëri i qafës jep imazhin e gjendjes së gjëndrës tiroide, gjëndrave paratiroide, gjëndrave pështymore dhe gjëndrave limfatike të zonës së qafës.


Ekzaminimi me ultrazë me doppler kolor i gjëndrës tiroide dhe indeve të buta të qafës është një metodë diagnostike pa dhimbje, jo invazive, e cila me ndihmën e valëve me tinguj me frekuencë të lartë jep informacion për indet e gjëndrës tiroide dhe indet e buta të qafës.

Ekzaminimi me ultrazë i gjëndrës tiroide dhe indeve të buta të qafës mundëson të shohim si duket gjëndra tiroide dhe indi i butë rreth saj – gjëndrës paratiroide, muskujt, mbështjellësit e indeve lidhore, nyjat limfatike, gjëndrat pështymore.

Mund të shihet forma e saj, të vlerësohet struktura, të matet madhësia, por falë opsionit të kolor dopplerit mund të arrihet pamje në gjendjen e furnizimit me gjak të organit të ekzaminuar.

Kur duhet të bëhet ultrazëri i gjëndrës tiroide, gjëndrës paratiroide, gjëndrave pështymore dhe limfatike të qafës?

Nëse keni lodhje dhe rrahje të shpejtë të zemrës, ngadalësim të rrahjes së zemrës, ngritje të lehtë e shtypjes së gjakut, konstipacion (kapsllëk), lëkurë të thatë apo të lagësht, flokë të thatë apo të yndyrshme, ju bien flokët, shtoni peshë trupore duke ngrënë sasi të vogël ushqimi, humbni peshë trupore me konsumim normal të ushqimit, keni përqendrim të keq, ngjirje e zërit, përpirje të vështirë, ngërçe të muskujve… Mbase shkaktare është vështirësia e shkaktuar me çrregullimin e punës së gjëndrës tiroide. Atëherë do të duhej të bëni një ultrazë të gjëndrës tiroide.

Përse bëhet ekzaminimi gjëndrës tiroide?

Sepse gjëndra tiroide tajit disa hormone nga të cilët më të rëndësishme janë T3, T4, TSH, anti-TPO.

Mjeku në varësi të situatës mund të drejtojë pacientin për eko, skaner apo scintigrafi, qoftë për të diagnostikuar shkakun apo dhe për të vlerësuar ecurinë e trajtimit.

Hormonet e gjëndrës tiroide:

▪ Janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e metabolizmit bazal (BM) në të gjitha moshat jetësore. Ato ngadalësojnë ose përshpejtojnë metabolizmin.
▪ Përshpejtojnë zbërthimin e glukozës (sheqerit) në qeliza.
▪ Ndikojnë në zhvillimin mendor (psikik).
▪ Përshpejtojnë metabolizmin (zbërthimin) e proteinave në organizëm.
▪ Ndikojnë në sistemin kardiovaskular, janë të domosdoshëm për zhvillimin e eshtrave dhe zhvillimin e fëmijëve.

Rrjedha klinike kur vjen deri te rritja progresive, gjetja patohistologjike e materialit bioptiv do të tregojë në diagnozën e vërtetë, nëse dyshohet në tumorin malinj të gjëndrës tiroide.

Çfarë zbulon ultrazëri i gjëndrës tiroide?

Me këtë ekzaminim, shihet forma dhe madhësia e gjëndrës tiroide. Para së gjithash, është me rëndësi matja e madhësisë në tri dimensione: gjatësia, gjerësia dhe trashësia e gjëndrës.

Gjëja tjetër e rëndësishme është ekzistimi i nyjave në vetë gjëndrën – ndryshime foklane. Këto nyja në të shumtën e rasteve janë të parrezikshme, mirëpo një numër i nyjave tregon sëmundje më të rënda siç janë tumoret e gjëndrës tiroide.

Pastaj, është me rëndësi edhe imazhi i indeve të cilin e marrim dhe struktura e tij (ekostruktura). Është e rëndësishme gjendja e nyjave limfatike dhe indeve të buta përreth.

Gjithashtu do të shihen edhe cistet, do të shihen edhe gjendja e tyre, forma, skajet, madhësia dhe qarkullimi i gjakut… Cistet zakonisht janë beninje, por rrallë mund të fshihet edhe malinjiteti.

Sëmundjet e gjëndrës tiroide

Kur ka një ulje ose rritje të sekretimit të hormoneve të tiroides, gjëndra tiroide përpiqet të kompensojë situatën e krijuar duke rritur ose ulur punën e saj.

Sëmundjet më të zakonshme të gjëndrës tiroide janë:

Hipertiroidizmi – gjendje klinike e karakterizuar nga përqendrime më të larta se normale të hormoneve tiroide.
Hipotiroidizmi  është një gjendje që karakterizohet me prodhim të ulët të hormoneve të gjëndrës tiroide.

Anomalitë e funksionit të tiroides mund të përshpejtojnë ose të ngadalësojnë proceset metabolike, të cilat mund të çojnë në një manifestim të gjerë simptomash, shpeshherë jo specifike.

Në cilën moshë personi i shëndetshëm do të duhej të bënte ekzaminimin?

Nuk ka rregulla. Kur të shfaqen simptomat, në cilën do moshë jetësore mund të bëhet. Te pacientët asimptomatikë, në kuadër të ekzaminimeve sistematike, nga mosha 20 – 25 vjeç. Përse? Me këtë ekzaminim shtohet shpeshtësia e zbulimit të nodusit në gjëndrën tiroide, madje deri në 50%, me ekzaminim pa prekje.

Si bëhet kjo procedurë?

Për shumicën e ekzaminimeve me ultrazë do të shtriheni me fytyrën e kthyer lart në krevatin e ekzaminimit. Pacientët mund të rrotullohen në cilëndo anë në mënyrë që cilësia e imazhit të përmirësohet.

Jastëku mund të vendoset pas supeve në mënyrë që të zgjerohet pjesa në të cilën bëhet skanimi për ekzaminim me ultrazë të gjëndrës tiroide. Kjo ka rëndësi të veçantë për fëmijë të vegjël me shumë pak hapësirë midis mjekrës dhe gjoksit.

Pasi që të vendoseni në krevatin e ekzaminimit, radiologu do të aplikojë xhel të ngrohtë me bazë uji në trup. Xheli do t’ju ndihmojë që transformuesi të realizojë kontakt të sigurt me trupin dhe të eliminojë xhepat e ajrit midis transformuesit dhe lëkurës që mund të bllokojnë valët tingullore të kalojnë në trupin tuaj.

Sonda vendoset në trup dhe lëvizet para-prapa mbi zonën e cila ju intereson derisa nuk arrihen imazhet e dëshiruara.

Zakonisht nuk ka situata të pakëndshme nga shtypja, sepse transformuesi është i shtypur në zonën e cila ekzaminohet. Mirëpo, nëse skanimi bëhet mbi zonën e butë, mund të ndieni shtypje ose një dhembje të vogël nga transformuesi.

Pas përfundimit të ekzaminimit, xheli i tejdukshëm i ultrazërit do të fshihet nga lëkura juaj. Të gjitha pjesët të cilat nuk fshihen shpejt do të thahen. Xheli i ultrazërit zakonisht nuk lë njolla as nuk heq ngjyrën.

Ultrazëri në diagnostikën radiologjike – përse përdoret, përgatitja dhe procedura
Lexo po ashtu Ultrazëri në diagnostikën radiologjike – përse përdoret, përgatitja dhe procedura

Në vend të përfundimit: Protokolli modern në diagnostikim dhe terapi të sëmundjes së gjëndrës tiroide nënkupton qasje multidisiplinare, domethënë bashkëpunim të të gjithë pjesëmarrësve të këtij procesi: endokrinologut, radiologut, patologut, specialistit të mjekësisë nukleare, si edhe mjekut të praktikës së përgjithshme me qëllim që me kohë të zbulohet sëmundja e gjëndrës tiroide dhe të shërohet në mënyrën e duhur.

Qëllimi është që të marrin pjesë të gjithë, të bashkëpunojnë ndërmjet vete dhe vazhdimisht të edukohen në mënyrë që të përvetësojnë dhe aplikojnë algoritmet bashkëkohore dhe klasifikimet, për vlerësim uniform të procesit adekuat të trajtimit.

Roli i pacientit është të shkojë në ekzaminime preventive, të dëgjojë trupin e vet dhe me shpjegim të qartë dhe komunikim të hapur me mjekun e tij në çdo nivel të ekzaminimit dhe terapisë, të pranojë dhe përvetësojë udhëzimet të cilat do t’i mundësojnë shërim dhe jetë cilësore.

Poashtu, ata duhet t`i kushtojnë rëndësi edhe ankesave, shpeshherë jospecifike që ka organizmi i tyre, për t`u drejtuar në kohë tek specialisti. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori