LAJMI I FUNDIT:

Ulja e çmimit të biletave, Shoqata e Transportuesve i jep ultimatum Qeverisë: Anulojeni vendimin brenda 72 orëve, do të ketë protesta

Ulja e çmimit të biletave, Shoqata e Transportuesve i jep ultimatum Qeverisë: Anulojeni vendimin brenda 72 orëve, do të ketë protesta
Foto: Ilustrim

Shoqata e Transportuesve Rrugor kanë kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e çmimeve për biletat e transportit ndërurban për autobusë për disa kategori.

Kryetari i shoqatës Ruzhdi Kurtishaj me anë të një konference për medie ka thënë se nëse Qeveria nuk reflekton brenda 72-orësh, atëherë, sipas tij do të ketë protesta.


“Kemi marrë tri vendime. E para ka të bëjë me masën e përkohshme, pra Këshilli Drejtues me anë të një kërkesë-padie, do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës Kushtetuese për shkeljet ligjore dhe për mohimin e të drejtave tona si treg i lirë. Vendimi i dytë ka të bëjë me çështjen që ne po kërkojmë që brenda 72 orësh qeveria ta anulojë këtë vendim, ne presim reflektimin e Qeverisë. Nëse kjo nuk aprovohet, atëherë vendimi tretë pason që të organizohet protesta apo të vazhdohet protesta sepse e kemi thënë që protesta është e pezulluar dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Kurtishaj, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se është marrë vendim për uljen e çmimeve për biletat e transportit ndërurban për disa kategori.

Zv.ministri Durmishi: Kemi përgjysmuar çmimin e biletave për autobus ndërurban për disa kategori
Lexo po ashtu Zv.ministri Durmishi: Kemi përgjysmuar çmimin e biletave për autobus ndërurban për disa kategori

Sipas tij, kjo çmimore hyn në fuqi menjëherë dhe mbetët e tillë deri në normalizimin e çmimeve të derivateve të naftës.

“Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritë që prek më shumë kjo gjendje, duke përcaktuar kështu çmimoren për transportin ndërurban me autobus për fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët. Për kategoritë e lartpërmendura, me këtë vendim përgjysmohet çmimi i biletës aktuale”, kishte njoftuar ai. /Telegrafi/