Ukrainasja refuzon foton me rusen, kryetari Astrit Hasani e qorton - komuniteti i peshëngritjes i del në krah sportistes

Gara e peshëngritëseve në kategorinë deri në 77 kilogramë në Kampionatin Evropian u la në hije nga një incident i ndodhur pas ceremonisë së medaljeve, ku u përfshi sportistja ukrainase Iryna Dombrovska dhe presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), Astrit Hasani.
Dombrovska, fituese e medaljes së bronztë, refuzoi të marrë pjesë në fotografinë e përbashkët të medalisteve. Medalja e argjendtë iu dha rusës Varvara Kuzminova, e cila garoi si sportiste e pavarur. Në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, sportistët ukrainas shpesh refuzojnë të fotografohen apo të paraqiten në skena të përbashkëta me sportistë rusë, edhe kur këta të fundit paraqiten nën statusin “neutral”.
Sipas raportimit të “Inside The Games”, refuzimi i fotografisë u pasua nga një përballje e drejtpërdrejtë pas podiumit. Mediumi shkruan se Hasani, i cili është nga Kosova, u filmua teksa i fliste me ton të ashpër Dombrovskës dhe stafit të saj, ndërhyrje që më pas u kritikua gjerësisht në rrjetet sociale.
“Refuzimi çoi në një përballje të menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë pas ceremonisë, ku Hasani, i cili është nga Kosova, u kap në video duke folur në mënyrë strikte dhe të ashpër me Dombrovskën dhe stafin e saj të trajnerëve”, ka shkruar “Inside The Games”.
Ky medium ka publikuar edhe pjesë nga qortimi i Hasanit ndaj peshëngritëses ukrainase: “Është e papranueshme, sepse ky është sport. Sporti mbi politikën në organizatën tonë”.
Videoja u shpërnda në rrjete sociale nga trajneri ukrainas, Dmitryi Sukhotskyi, i cili e quajti të pajustifikueshëm reagimin e EWF-së dhe këmbënguli se sportistja kishte vepruar me qetësi dhe pa e prishur ceremoninë.
“Sportistja ukrainase, Iryna Dombrovska, e cili i fitoi tri medalje bronzi në Kampionatin Evropian, zbriti me qetësi nga podiumi pas ceremonisë dhe nuk mori pjesë në një fotografi në grup me një sportiste ‘neutrale’ nga Rusia. Është e rëndësishme të theksohet se nuk pati demonstrime, deklarata apo shkelje të protokollit. Sjellja e saj ishte respektuese dhe e përshtatshme”, shkroi Sukhotskyi.
Ai shtoi se nuk ekziston obligim që sportistët të marrin pjesë në fotografinë e përbashkët.
Sipas “Inside The Games”, incidenti ka shkaktuar edhe valë reagimesh në mbështetje të Dombrovskës.
Britanikja Sarah Davies, ish-kryetare e komisionit të sportistëve në Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes dhe kampione e Evropës, e cilësuar si një nga zërat më të njohur në komunitetin e peshëngritjes, u rreshtua publikisht me ukrainasen.
“Kjo është e papranueshme. Të flasësh me këdo në këtë mënyrë, pavarësisht se për çka bëhet fjalë, nuk është në rregull. Unë mbështes vendimet e këtyre sportistëve për të mos ndarë podiumin. Gara ka të bëjë me sportistët dhe punën e tyre të madhe dhe jo me bordin ekzekutiv dhe mendimet e anëtarëve të tij”, ka shkruar britanikja.
Edhe Forrester Osei, kryetar aktual i komisionit të sportistëve në Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes, reagoi me një deklaratë solidariteti, duke shprehur shqetësim për presionin e ushtruar mbi sportisten.
“Është zhgënjim i madh të shohësh këtë video nga një Kampionat Evropian i suksesshëm. Nëse sportistja zgjodhi të mos bënte një fotografi për shkak të tensioneve rajonale që prekin vendin e saj dhe të dashurit e saj, është e drejta dhe përgjegjësia e saj të ushtrojë lirinë e shprehjes pa asnjë frikë. Sporti mund të jetë gjithashtu hapësirë për shprehje personale dhe për t’u bërë homazh shokëve të humbur. Qëndrojmë në solidaritet me sportisten”, ka shkruar Osei. /Telegrafi/



















































