Një hartë e re e botës ka shkaktuar përplasje diplomatike në Kombet e Bashkuara, pasi mënyra se si paraqitet Krimea bëri që Ukraina të abstenojë në votimin për miratimin e projekcionit “Equal Earth”.

Ukraina njoftoi se nuk e mbështeti rezolutën, pasi në hartë Krimea paraqitet me një ngjyrë dukshëm më të çelët dhe të ndarë nga pjesa tjetër e territorit ukrainas, ndërsa dallohet edhe nga ngjyra e përdorur për Rusinë.


Deputetja ukrainase Kira Rudik reagoi ashpër, duke thënë se pikërisht kjo paraqitje ndikoi në vendimin e Kievit për të abstenuar, transmeton Telegrafi.

“Në vitin 2026, OKB-ja nuk duhet të ketë nevojë për një kujtesë: Krimea është Ukrainë. Turp”, shkroi Rudik.

Misioni i Përhershëm i Ukrainës në OKB tha se Kievi mbështet qëllimin e hartës për të korrigjuar shtrembërimet historike në paraqitjen e madhësisë së kontinenteve, veçanërisht të Afrikës dhe vendeve të Jugut Global.

Por, sipas diplomatëve ukrainas, ndarja grafike e territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia është e papranueshme dhe bie ndesh me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.

Ukraina theksoi gjithashtu se kishte zhvilluar bisedime me sponsorët e rezolutës për të gjetur një formulim kompromisi, por pa rezultat.

Sipas Kievit, një paraqitje e tillë mund të krijojë një precedent të rrezikshëm dhe të hapë rrugën për shtrembërime të reja të hartës politike të botës, sidomos në rastet e territoreve të pushtuara.

Projekcioni Equal Earth u krijua në vitin 2018 me synimin për të paraqitur më saktë sipërfaqen reale të kontinenteve. Ndryshe nga projeksioni tradicional Mercator, ai synon të shmangë zvogëlimin e dukshëm të Afrikës dhe shtrembërimet e tjera në përmasat relative të tokës.

Debati për hartën vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik në OKB lidhur me luftën në Ukrainë.

Më 24 gusht, 50 shtete mbështetën një deklaratë të përbashkët që dënonte sulmet ruse dhe kërkonte një armëpushim të plotë, të menjëhershëm dhe pa kushte. SHBA-ja nuk iu bashkua deklaratës, e cila u prezantua nga ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen.

Ndërkohë, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, e hodhi poshtë thirrjen për armëpushim, duke argumentuar se përpjekjet për të ndalur luftën përgjatë vijave aktuale të frontit janë të destinuara të dështojnë.

Moska këmbëngul se çdo marrëveshje duhet të marrë parasysh ato që i quan interesat e saj të sigurisë dhe “situatën në terren”.

Kështu, një debat që në pamje të parë lidhet vetëm me mënyrën se si vizatohet bota në një hartë, është kthyer në një tjetër përplasje të drejtpërdrejtë mbi statusin territorial të Krimesë dhe mënyrën se si lufta Rusi–Ukrainë pasqyrohet në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/