Udhëzimet administrative si metodë përkohshme për zgjidhjen e çështjeve, e jo si metodë e përhershme apo kthim në ligje të heshtura
Bizneset e Kosovës sot ballafaqohen me fenomenin e udhëzimit administrativ që rregullon transportet për mallrat që hyjnë në Republikën e Kosovës dhe fenomenin e ngritjes së çmimeve të produkteve apo nivelizimit të tyre me çmimet e ndryshme referente.
- Fenomeni i ngritjes se çmimit të artikullit apo faturës është fenomen i dëmshëm për të gjitha bizneset e në veçanti ato prodhuese, por edhe i dëmshëm për shportën e konsumatorit, dhe në kundërshtim të drejtpërdrejt me ekonominë e tregut të lirë (pra bërja e çmimeve dhe detyrimi i kalkulimit të çmimit të njëjtë për të gjithë akterët ekonomik - metodë komuniste).
- Ekonomia e tregut është ekonomi për të cilën Republika e Kosovës është orientuar dhe me këtë lloj ekonomie sigurohen të gjithë akterët ekonomik që do konkurrojnë në tregun e lirë të Kosovës prej nga vjen në shprehje edhe beteja dhe aftësitë për të furnizuar artikuj më lirë dhe duke mundur konkurrencën, veçanërisht konkurrencën rajonale. Por, përkundër kësaj sot në Kosovë vërejmë diçka tjetër. Vërejmë ngritje çmimesh në mënyrë që aftësia mos të vjen në shprehje, kjo për arsye se një gjë e tillë i nevojitet buxhetit të Kosovës dhe arsyeja tjetër sepse është metodë e ndëshkimit të konkurrencës.
Nëse e krahasojmë këtë se për cilën kategori ngriten çmimet dhe për cilën jo, atëherë na del se bizneset janë skeptikë se mos me këtë metodë po favorizohen njerëzit e korrupsionit dhe krimit të organizuar, apo miqtë e ndryshëm politikë.
Bizneset më nuk po besojnë se këto metoda shteti është duke i zbatuar për të gjithë akterët ekonomikë njësojë, por edhe sikur të aplikohej metoda e barazimit, atëherë kjo metodë do t’i detyronte bizneset të mbushnin arkën e shtetit në mënyrë administrative, gjë që përsëri do të ishte shumë e dëmshme dhe e kundërligjshme.
Nga këto dhe shqetësime të tjera të këtij lloji po rrjedhin kërkesat e vazhdueshme të biznesit për fiskalizim të të gjithë akterëve ekonomikë dhe këtu me ndihmën e pajisjeve dhe qytetarëve të përgjegjshëm në mënyrë që të eliminohet informaliteti.
Fenomeni i dytë, ngritja e çmimit të transportit për të gjithë apo në veçanti vetëm për ata të cilët nuk janë në sferën e krimit dhe korrupsionit. Edhe në këtë çështje bizneset mbeten të shqetësuara dhe në pritje të vazhdueshme të asaj thënies popullore ‘Nuk dëgjon asgjë tjetër veçse ç’është kah bëhet’.
Edhe në këtë sferë çmimi i transportit rregullohet në bazë të ofertës dhe kërkesës dhe në bazë të çmimit të karburantit. Këtu e kemi të qartë se çmimi i karburantit është më i vogël se çdo herë, bazuar me periudhat e kohëve të fundit, porse çmimi i transportit qëndron i fiksuar.
Kemi shembuj kur transporti detar kushton 500 dollarë për kontejnerë, ndërsa llogaritet 4.000 dollarë për të njëjtin. Pse ndodhë kjo? Të hyrat shtetërore në rastin e parë janë rreth 150 dollarë dhe në rastin e dytë rreth 1.200 dollarë. Këto numra apo ngritje vlerash i paguan konsumatori final që në shumicën e aseteve kalon 15% të vlerës së mallit, e kur kësaj ia shtojmë edhe doganën 10% dhe TVSH-në 18%, lind pyetja se sa po shtrenjtohet jeta e qytetarit. Andaj nga kjo del se është më mirë të rritet TVSH-ja dhe të inkasohet në mënyrë ligjore se të veprohet kështu parcialisht.
Duke i parë këto shqetësime të bizneseve, e në veçanti ato të prodhuesve të cilët kanë frikë të bazuar se po e humbasin tregun vendor, sepse me këtë udhëzim u jepet mundësia e trajtimit selektiv të importuesve dhe favorizimi i bizneseve të afërta, apo bizneseve korruptive dhe kriminale që të fuqizohen, shteti menjëherë duhet që të ndalojë këtë fenomen korruptiv (apo fenomen komunist nga e kaluara).
Ja edhe rekomandimet:
A. Të shfuqizohet Udhëzimi administrativ i vitit 2014 dhe të zbatohet ligji në fuqi që e rregullon në tërësi këtë procedurë.
B. Të implemetohen arkat fiskale në afat prej tre muajve dhe të rregullohet me ligjet në fuqi pagesa e obligimeve tatimore në buxhetin e Republikës së Kosovës për vlerën të cilën e kanë paguar qytetarët.
C. Të merren masa adekuate ndaj atyre të cilët zhvillojnë këtë informalitet, duke zvogëluar çmimet e transportit, çmimet e faturave dhe zvogëlimin e sasive të ndryshme.
P.S. Ligjet në fuqi janë në përputhshmëri me standardet e EU dhe të njëjtat rregullojnë për mrekulli të gjitha këto fenomene të lartcekura.
(Autori është president i Elkos Group-Etc dhe deputet e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së)




















































