LAJMI I FUNDIT:

Udhëtime virtuale në tri xhami – monumente të trashëgimisë kulturore në Shqipëri

Udhëtime virtuale në tri xhami – monumente të trashëgimisë kulturore në Shqipëri

Xhamia e Iljaz Bej Mihrahori në Korçë, e Plumbit në Berat si dhe Xhamia e Muradies në Vlorë, janë atraksione të preferuar për turistët e vizitorët.

Xhamia e Iljaz bej Mihrahori, në Korçë, vlerësohet se është xhamia e parë me kube e ndërtuar në Shqipëri. Xhamia është ngritur mbi themelet e kishës së vjetër të Shënapremtes dhe dallon për sallën e lutjeve me përmasa të mëdha. Kjo xhami mori statusin “Monument Kulture” në vitin 1948.


Edhe Xhamia e Plumbit (Izgurliut) në Berat daton e ndërtuar në vitet ’30 të shekullit XVI, kohë kjo e sundimit të sulltanit Sulejman Konunorit (1520-1566), periudhë kur qyteti i Beratit filloi të rimëkëmbet. Elementët përbërës arkitekturorë të monumentit janë: salla e lutjeve në formë katrore me kupolë, portiku nga ana veriore dhe minareja e lartë dhe e hollë punuar në bazamentin e saj në teknikën e kluasonazhit.

Xhamia e Muradies ndodhet ne qytetin e Vlorës, në aksin rrugor Vlorë-Skelë, në një nga qendrat e qytetit, pranë Sheshit të Flamurit. Objekti është ndërtim i vitit 1542, vepër e arritur e arkitekturës, e ndërtuar me rreshta gurësh dhe tullash që të kujtojnë ndërtimet e kësaj kohe të arkitekt Sinanit në Stamboll. Kjo shquhet për ndërtim të mirë të mureve, për punën e rregullt të kornizave, dritareve dhe portalit të hyrjes.

Vizita virtuale në xhamitë e sipërpërmendura bëhet përmes vegëzave, si më poshtë:

● Xhamia e Iljaz Bej Mihrahorit në Korçë: KËTU.

● Xhamia e Plumbit në Berat: KËTU.

● Xhamia e Muradies në Vlorë: KËTU.