U zhduk dy javë më parë, gjendet i pajetë Eglant Koçi


Është gjetur trupi i pajetë i Eglant Koçit, në fshatin Cerrujë, midis Tiranës dhe Elbasanit, këtë të enjte, 18 qershor.
Ka pasur një raportim nga një banor i zonës dhe më pas janë bërë verifikime me dron të policisë. Ai është gjetur në një humnerë dhe për të tërhequr trupin e tij janë nisur dhe alpinistë të RENEA-s, raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.
Më poshtë, është vendndodhja ku u gjet trupi i të riut.
“Në territorin e fshatit Cerrujë, lagjia Domush, është gjetur në proces dekompozimi, një trup njeriu i seksit mashkull. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet dhe verifikimet me qëllim identifikimin e shtetasit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tjera të rastit“, njofton Policia e Tiranës.
34-vjeçari u pa për herë të fundit pranë sheshit “Wilson” në kryeqytet, duke lëvizur me motor siç duket në këto pamje. Ndërsa një tjetër foto e siguruar nga grupi hetimor, e tregonte atë në një servis mjetesh në orën 10:13 të së enjtes (4 qershor), përpara se të merrej peng. Më 5 qershor, i riu u denoncua i zhdukur nga familjarët e tij.
Motomjeti u gjet nga specialistët e krimeve të rënda në policinë e Tiranës, pranë 5 majit. Blutë kanë gjetur dhe ambientin ku është dërguar 34-vjeçari pasi është marrë peng, ambient nga i cili ka dalë 41-vjeçari Armand Shakaj me automjet, që dyshohet se ka marrë me vete të riun Koçi.
Ky automjet u kontrollua nga policia dhe në brendësi të tij u konstatuan njolla gjaku të cilat u dërguan për ekspertizë.
Lidhur me ngjarjen, deri më tai është arrestuar Enea Zyferi për përkrahje të autorit të krimit, i cili dhe rezulton i punësuar në lokalin e 41-vjeçarit, Armand Shakaj.
34-vjeçari Eglant Koçi rezultonte i punësuar në një mobilieri, por policia dyshon se ai ishte i përfshirë në aktivitetin e kriptomonedhave, që është një ndër pistat kryesore mbi të cilat është fokusuar policia.
Sakaq, vijon të jetë në kërkim autori i dyshuar, Armand Shakaj. Ky i fundit rezulton se ka ndërruar 6 numra telefoni për ti shpëtuar lokalizimit nga policia. Numrat janë në emër të tij dhe familjarëve, që nga valët telefonike rezultojnë se janë përdorur në Tiranë.
Grupi i hetimit ka marrë në pyetje të vëllain e Armand Shakajt, në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për vendndodhjen e tij, por nuk ka treguar të dhëna për policinë./TV Klan



































