LAJMI I FUNDIT:

U zëvendësua vetëm pas 13 minutash dhe bëri problem, Grezdën e pret dënimi

U zëvendësua vetëm pas 13 minutash dhe bëri problem, Grezdën e pret dënimi

Eros Grezda do të përballet me një masë disiplinore të klubit të Lokomotiv Zagrebit për mënyrën se si reagoi në momentin e zëvendësimit të tij në ndeshjen e të shtunës ndaj Inter Zapreshiç.

Trajneri Mario Tokiç e zëvendësoi që në minutën e 12 të takimit dhe fillimisht u mendua se mos po e bënte një gjë të tillë për shkak të një dëmtimi të futbollistit, shkruan PanoramaSport. Por ndërsa ky i fundit po largohej drejt tunelit të dhomave të zhveshjes, hoqi fanellën dhe e hodhi në tokë, një gjest i qartë pakënaqësie për vendimin e trajnerit.


“Sinqerisht, nuk e pashë veprimin e tij. Erosi kishte filluar ndeshjen tmerrësisht keq dhe mendova të bëj këtë lëvizje për të stabilizuar skuadrën”, tha trajneri pas përfundimit të takimit.

Por nëse Tokiç duket i mirëkuptueshëm, të tillë nuk janë edhe drejtuesit e klubit. “Nuk e pashë me saktësi atë që ndodhi, por me shumë mundësi do të ketë disa sanksione për të”, paralajmëroi drejtori sportiv i Lokomotiv, Bozidar Shikiç.

Klubi i Lokomotiv Zagreb nuk kursehet kur bëhet fjalë për të dënuar futbollistë dhe këtë e di shumë mirë mbrojtësi Herdi Prenga. Lojtari shqiptar, ish-kapiten i U-21 të Shqipërisë, nuk ka parë fushën e lojës në këtë sezon, pasi është dënuar nga klubi meqë kishte filluar bisedimet një klub tjetër kroat dhe kërkonte transferimin.

Sigurisht, ndëshkimi nuk është një lajm i mirë për Grezdën i cili shpreson që të luajë rregullisht në skuadër. Falë aktivizimit dhe formës që ka treguar në Kroaci, ai arriti të fitonte një vend në listën e Kombëtares shqiptare duke u grumbulluar nga trajneri De Biazi në ndeshjet e fundit.