Nga: Zeyneb Sayılgan, ligjëruese në Institutin për Studime Islame, Kristiane dhe Hebraike në Baltimor të ShBA-së / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Sapo kisha përfunduar një ligjëratë mbi “Marinë në Islam”. Shumë nga të pranishmit jomyslimanë mbetën të habitur kur mësuan që myslimanët kanë lidhje me Marinë dhe nuk kishin asnjë informacion për rëndësinë që ajo ka në fenë dhe besimin tonë. Kjo nuk ishte ndonjë befasi. Gjysma e amerikanëve ka thënë se dinë “shumë pak” ose “asgjë” rreth Islamit.
Si një vajzë myslimane që u rrit në landin me shumicë dërrmuese katolike të Rajnland-Pfalcit, në Gjermani, Maria ishte një prani e vazhdueshme në jetën time. Imazhet dhe statujat e saj, të shpërndara nëpër qytetin tim, më buzëqeshnin ndërsa shkoja në shkollë. Gjatë Krishtlindjeve, bashkohesha me shokët dhe shoqet e klasës për të kënduar këngë si Stille Nacht, heilige Nacht [Natë e heshtur, natë e shenjtë].
Në shtëpi dhe në xhami, isha e magjepsur ndërsa mësoja për karakterin e jashtëzakonshëm, guximin dhe përkushtimin e Marisë. Ajo është një nga gratë më të nderuara në Islam, dhe kapitulli 19 i Kuranit i kushtohet tërësisht statusit të saj të lartë. Ajo është e veçantë, jo vetëm sepse ishte nëna e Jezusit [Isait], por edhe për shkak të shpirtërores së saj të pashoqe, adhurimit dhe shërbimit ndaj Zotit.
Për mua dhe shumë myslimanë, Maria mbetet një model i kultivimit të karakterit moral, besimit dhe shpresës te Zoti në kohë dëshpërimi. Ajo na mëson se në pasiguri ka edhe mundësi. Maria u përball me kaq shumë sfida, por gjithsesi qëndroi e palëkundur. Si një grua e re që ka përjetuar shumë pengesa për shkak të shamisë sime myslimane, Maria më inkurajoi të mos dorëzohesha përballë paragjykimeve dhe stereotipave. Si ajo, edhe unë vazhdova të ecja përpara në gjetjen e vendit tim në botë.
Teksa rritesha, vazhdova të dëgjoj këngë myslimane të Krishtlindjeve me vajzat e mia, njërën prej të cilave e quajta “Maryam” [Mejrem] – emri arab i Marisë në Kuran. Duke e quajtur vajzën time Maryam, u luta që edhe ajo të mishëronte devotshmërinë e saj dhe ato virtyte të bukura të dhembshurisë, përulësisë, guximit dhe shpresës.
Prania e Marisë është e dukshme në shumë pjesë të botës myslimane. Mihrabi – struktura e murit në çdo xhami që tregon drejtimin e Qabes në Mekë, pika e përbashkët e përqendrimit për myslimanët gjatë lutjes – është gjithashtu emri i faltores personale të Marisë, siç përmendet në Kuran.
Shpesh i çoja studentët e mi në Shtëpinë e Nënës Mari (Meryem Ana Evi), një vend pelegrinazhi në Turqi ku myslimanët dhe të krishterët nderojnë këtë figurë të shenjtë. Sigurisht që vizitonim edhe Ajasofjën në Stamboll dhe shikonim Marinë, e cila qëndron mbi të gjithë besimtarët që hyjnë në xhami për t’u falur. Nga respekti për monoteizmin islam, i cili nuk lejon imazhe apo statuja, piktura e bukur e Marisë zakonisht mbulohet gjatë kohës së lutjeve.
Xhamitë në Shtetet e Bashkuara krenohen duke e quajtur veten sipas Marisë dhe Jezusit. Qendra Islame “Maryum” [Mejrem] në Meriland, Qendra Islame “Maryam” [Mejrem] në Teksas dhe Xhamia e Jezusit, Birit të Marisë në Nju-Jork [Isai, biri i Mejremes] – të gjitha tregojnë lidhjet e shenjta midis Islamit dhe Krishterimit.
Maria është simbol i marrëdhënieve të qëndrueshme midis feve abrahamike. Kurani pranon se ajo u rrit brenda themeleve të besimit hebraik dhe se Jezusi ishte Mesia i premtuar. Mbetjet me mbishkrime kuranore mbi Marinë dhe Jezusin, të gjetura në Kupolën e Shkëmbit nga shekulli i shtatë, shprehin pika lidhjeje midis feve, duke ruajtur njëkohësisht veçantitë teologjike të Islamit.
Ndërsa kam njohur më shumë Marinë e krishterë gjatë jetës sime, nuk kam lënë mënjanë bindjet e mia myslimane dhe as nuk kam shmangur ato dallime të rëndësishme teologjike. Për të krishterët, Maria mbetet nëna e Zotit (Theotokos) dhe zë një vend të lartë në konceptin e “Zotit të bërë nga mishi”. Myslimanët, megjithatë, e shohin atë si nënën e Profetit Jezus, i cili është plotësisht njeri dhe jo Zot i mishëruar. Rëndësia e saj buron nga vetitë e saj personale, si pastërtia dhe përkushtimi. Mësova të bashkëjetoj me mosmarrëveshje të shëndetshme dhe të pranoj ato tensione të pazgjidhshme.
Në të njëjtën mënyrë, ndërsa eksploroja paraqitjen myslimane të Marisë, shpresoj që studentët e mi të kenë dalë nga ora ime e mësimit me një vlerësim më të pasur dhe më të madh për trashëgiminë e saj shpirtërore. Ne të gjithë u pajtuam për dhembshurinë e saj të madhe dhe mishërimin e shpresës.
Të krishterët dhe myslimanët bashkërisht përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës. Shpresoj që mund ta nderojmë Marinë së bashku duke punuar për një mirëkuptim më të madh të ndërsjellë dhe për përmirësimin e familjes sonë njerëzore. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Viti 1941 dhe lufta e shqiptarëve kundër çetnikëve, për mbrojtjen e Pazarit të Ri
Manastiri i Deçanit, ku ruhet shandani i dhuruar nga Skënderbeu
Citatet më të “zgjuara” të Alan Fordit: Mos i beso gruas që gënjen!

Letra që Ernest Hemingway i dërgoi Petro Markos
Historia e engjëllit mbrojtës të Van Goghut

Roli i ilirëve në Luftën e Trojës

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

A po përgatitet SHBA-ja për sulm ndaj Iranit - imazhet satelitore tregojnë grumbullimin e bombarduesve të padukshëm B-2

Barcelona ishte e vetëdijshme për thyerjen e rregullave ndaj Osasunas – pse nuk morën masa?

Çka e shkaktoi tërmetin e Myanmarit - dhe pse bëri që një kullë të shembet në Bangkok?

Rama prezanton modelin e pasaportës shqiptare evropiane

Zëvendëskryeprokurori apo Prokuroria Speciale dhe Këshilli Prokurorial, kush po e thotë të vërtetën?

Shefi i klubit të njohur anglez e pranon haptas se po synojnë transferimin e Arda Guler