LAJMI I FUNDIT:

U ndalua për shkak të punësimit të 10 personave në QPS, reagon Mujku: Jam i pastër si loti

U ndalua për shkak të punësimit të 10 personave në QPS, reagon Mujku: Jam i pastër si loti

Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku ka reaguar për herë të parë  pas ndalimit të tij dhe një zyrtari tjetër të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndalimi i tyre u bë më 8 shtator të këtij viti nga ana e Prokurorisë së Shtetit.


Mujku në një reagim në Facebook, ka shkruar se publikimet janë tentim i qëllimshëm për njollosjen e tij.

“Së pari ju falënderoj secilin prej jush për interesimin dhe përkrahjen e sinqertë, si dhe ju kërkoj falje për shqetësimin e ndjerë, të krijuar nga të tjerët për mua. Ajo çfarë është publikuar në medie këto dy ditë, është vetëm tentim i qëllimshëm për njollosje nga individë të caktuar. Sot do të kursehem e do të mjaftohem duke thënë se e drejta për tu hetuar secili është e padiskutueshme dhe do ta përkrahi deri në momentin e fundit” , ka thënë ai.

Ndalohen dy zyrtarë të lartë të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës
Lexo po ashtu Ndalohen dy zyrtarë të lartë të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës

Mujku ka thënë se është i pastër nga këto akuza, dhe se fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.

Kujtojmë se Prokuroria e Shtetit të premten ka njoftuar se ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të Qendrën për Punë Sociale në kryeqytet kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit, të njëjtit dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.

Reagimi i plotë i Mujkut:

Të nderuar familjarë, shokë, kolegë, miq, bashkëpunëtorë e qytetarë.

Së pari ju falënderoj secilin prej jush për interesimin dhe përkrahjen e sinqertë, si dhe ju kërkoj falje për shqetësimin e ndjerë, të krijuar nga të tjerët për mua.

Ajo çfarë është publikuar në medie këto dy ditë, është vetëm tentim i qëllimshëm për njollosje nga individë të caktuar. Sot do të kursehem e do të mjaftohem duke thënë se e drejta për tu hetuar secili është e padiskutueshme dhe do ta përkrahi deri në momentin e fundit.

Sjellje shumë korrekte dhe profesionale e hetuesisë dhe policisë, përjashtuar si zakonisht, ruajtjen e privatësisë së qytetarëve në procedurë hetimi. Dua të ju siguroj se shërbimi im ndaj vendit ka qenë dhe do të jetë maksimal. Përderisa për ato që është shkruar, mund të them se jam i pastër si loti, për çka fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.

Vullneti, tentimi apo fuqia ime për të ndikuar në drejtësi është zero.

Nuk do të ndalem në shërbim të drejtë dhe me integritet për vendin nga cilado pozitë që jam, sepse e kemi obligim profesional dhe moral.

E paçit shëndetin, familjen e lumtur në shtëpi, miqtë e dashamirët afër, e drejtësinë në krah secili. Do ta nisni çdo ditë mirë kështu si unë.

Me shumë respekt. /Telegrafi/