Një grua është shpëtuar nga policia pasi ishte mbajtur rob në një qeli metalike të zymtë në shtëpinë e nënës së saj për 20 vjet.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Rosinalva da Silva, 39 vjeç, u gjet në një dhomë gjumi të errët me këmbët e saj të lidhura me zinxhirë dhe duart e lidhura - të enjten në Espírito Santo, Brazil.


Nëna e saj, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, ishte nën efektin e alkoolit kur policët bastisën banesën dhe e arrestuan atë, tha shefi i Policisë Civile, Carlos Braga.

Një person tjetër, emri i të cilit nuk është bërë publik, është arrestuar gjithashtu.

Pamjet e shpëtimit treguan policët duke hyrë në pronë dhe duke ecur përmes një dere metalike të qelisë - ku e gjetën gruan në një dhomë ku drita e vetme vinte nga një dritare xhami.

Më pas Da Silva u shoqërua nga shtëpia ndërsa mbante zinxhirin që e mbajti atë të bllokuar për dy dekada.

Autoritetet thanë se Da Silva ishte e dehidratuar dhe e uritur kur e zbuluan të fshehur brenda qelisë së improvizuar.

Mjekët e ndihmës së shpejtë e dërguan me urgjencë në Spitalin Rajonal, ku ndodhet nën vëzhgim dhe po trajtohet për kequshqyerje të rëndë.

Nëna e Da Silvës thuhet se e mbajti të mbyllur brenda në shtëpi në përgjigje të sëmundjes mendore që ajo luftoi pasi humbi dy fëmijë vite më parë.

Policia tha se nëna e lidhi me zinxhirë da Silvën dhe e mbylli në dhomë sepse ishte ‘e vetmja mënyrë’ për të përballuar agresivitetin e saj.

Autoritetet janë ende duke hetuar ngjarjen për të përcaktuar nëse janë përfshirë edhe persona të tjerë. /Telegrafi/