Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka deklaruar se ka qenë objekt i një tentative për atentat, duke rrëfyer momentet dramatike që, sipas tij, e detyruan të ndryshojë itinerarin dhe të marrë masa emergjente sigurie.

“Duhet ta pranoj… prej dy ditësh kam qenë duke ikur për t’i shpëtuar vrasjes”, u shpreh Petro.


Ai tregoi se nuk ka mundur të ulej në destinacionin e parashikuar, pasi dritat e pistës nuk ishin ndezur, duke e bërë të pamundur uljen e sigurt.

Të nesërmen në mëngjes, presidenti vendosi të mos ulej në vendin e planifikuar, nga frika se helikopteri me të cilin udhëtonte mund të qëllohej, ndërkohë që në bord ndodheshin edhe fëmijët e tij.

“Shtuam masat e kujdesit dhe dolëm në det për katër orë. Mbërrita në një vend ku nuk ishte planifikuar të shkoja – por arrita”, deklaroi ai.

Autoritetet kolumbiane nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi rrethanat e ngjarjes apo mbi autorët e mundshëm të kërcënimit, ndërsa pritet që institucionet e sigurisë të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/