Gazeta britanike ,The Times publikoi një “intervistë ekskluzive” me ish‑kryetarin e New Yorkut, Bill de Blasio, por u detyrua menjëherë ta tërheqë publikimin për shkak të faktit se kishin biseduar me dikë tjetër që mban të njëjtin emër.

Gazeta The Times kishte publikuar një intervistë me De Blasion ku ishin bërë kritika të shumta ndaj kandidatit aktual të Partisë Demokrate për kryetar të qytetit të New Yorkut, Zohran Mamdani.


Kur ish‑kryetari e pa këtë, ai menjëherë publikoi një mesazh në rrjetin social X ku demantoi përmbajtjen e intervistës.

“Historia në The Times është plotësisht e rreme dhe e fabrikuar. Unë kurrë nuk kam folur me atë reporter dhe nuk jam shprehur me ato fjalë. Ato citime nuk janë të miat, nuk përfaqësojnë mendimet e mia”, shkroi ai.

Amerikani gjithashtu theksoi se në fakt plotësisht mbështet Zohran Mamdanin dhe mendon se vizioni i tij është i nevojshëm dhe arritshëm.

The Times kishte kontaktuar vërtet një person që quhej Bill de Blasio, por bëhej fjalë për një qytetar 59‑vjeçar nga New Yorku që merrej me importimin e verës – dhe që shkruante emrin “Bill DeBlasio”, pa hapësirë ndërmjet “De” dhe “Blasio”.

Gazetarja e Times, Bevan Hurley, kishte dërguar pyetjet në email që kishte përfunduar në adresën e gabuar për shkak të ndryshimit në shkrimin e emrit të personave.

Në fund, The Times u detyrua të tërhiqte tekstin, ndërsa “Bill DeBlasio” deklaroi se ende qëndronte pas qëndrimit të tij dhe se më 4 nëntor nuk do të votonte për Mamdanin. /Telegrafi/