LAJMI I FUNDIT:

TSMC thotë se mungesa e punëtorëve të kualifikuar vonon fillimin e prodhimit të çipave në Arizona

TSMC thotë se mungesa e punëtorëve të kualifikuar vonon fillimin e prodhimit të çipave në Arizona

Aksionet e TSMC (Taiwan Semiconductor Manufacturing Co) të premten ranë me mbi 3 për qind, pasi që prodhuesi më i madh në botë i çipave me kontratë njoftoi se kishte një rënie prej 10 për qind në shitjet e vitit 2023, dhe ndër të tjera shtoi se plani i fillimit të prodhimit në vitin e ardhshëm në fabrikën e parë në Arizona do të shtyhet.

Të enjten, TSMC kishte raportuar një rënie prej 23 për qind në fitimet neto të tremujorit të dytë – hera e parë që kompania ka humbje në tremujor nga viti 2019 – pasi problemet ekonomike globale ndikohen nga kërkesa për çipa të përdorur në çdo industri, nga ajo e veturave e deri tek telefonat e mençur.


“Teksa rënia e të ardhurave dhe fitimeve në kompani ishin zhgënjyese, perspektivat e saj afatgjata të rritjes mbeten inkurajuese”, tha Brady Wang, drejtor i asociuar në Counterpoint Research, raporton CNN, transmeton Telegrafi.

“Pavarësisht përballjes me ndryshimet makroekonomike, perspektiva afatgjatë e TSMC mbetet e fuqishme, e mbështetur nga mega trendet si 5G dhe informatika me performancë të lartë”, shtoi ai.

Derisa TSMC ec tutje me planet për zgjerimin global, kompania bëri të ditur se prodhimi në fabrikën e saj të parë në Arizona, do të shtyhet deri në vitin 2025 si shkak i mungesave të punëtorëve të specializuar.

“Ndërsa ne po punojmë për të përmirësuar situatën, duke përfshirë edhe dërgimin e teknikëve me përvojë nga Tajvani për të trajnuar punëtorët e aftë vendas për një periudhë të shkurtër kohe, ne presim që plani i prodhimit të teknologjisë së procesit N4 të shtyhet deri në vitin 2025”, bëri të ditur të enjten kryetari i bordit të TSMC, Mark Liu. /Telegrafi/