Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka thënë amerikanëve të mos “shqetësohen për Kinën”.

"Mos u shqetësoni për Kinën, gjithçka do të shkojë mirë! Presidenti shumë i respektuar Xi sapo pati një moment të keq. Ai nuk dëshiron një depresion për vendin e tij, dhe as unë. Shtetet e Bashkuara duan ta ndihmojnë Kinën, jo ta dëmtojnë atë", shkroi Trump në rrjetin social Truth Social.


Kujtojmë se të premten, Trump rinisi ofensivën e tij tregtare kundër Kinës, në hakmarrje për kufizimet e vendosura nga Pekini në sektorin e mineraleve të rralla me rëndësi të lartë strategjike.

Të premten, ai akuzoi Kinën se ka ndërmarrë një hap të paprecedentë.

Me atë rast, ai njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosnin tarifa shtesë prej 100 përqind për mallrat kineze, përveç atyre që janë tashmë në fuqi, duke njoftuar se ato do të hynin në fuqi më 1 nëntor ose para kësaj date.

Ndryshe, marrëdhëniet tregtare midis Kinës dhe SHBA-së, të cilat kanë parë ulje-ngritje në vitin 2025, kanë qenë në një gjendje qetësie në javët e fundit.

Trump foli me Xi në shtator dhe e përshkroi bisedën si "shumë produktive".

I kënaqur me diskutimet rreth të ardhmes së TikTok në SHBA, ai madje përmendi një udhëtim në Kinë vitin e ardhshëm, si dhe një vizitë të homologut të tij në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, në një mosmarrëveshje të re tregtare, Kina njoftoi të premten se do të vendoste tarifa "speciale" për anijet amerikane në portet e saj, në hakmarrje për masa të ngjashme të ndërmarra nga Uashingtoni në prill.

Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, thanë se kishin hequr "miliona" produkte kineze të ndaluara nga platformat e tregtisë elektronike. /Telegrafi/