Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të lirojnë 172 milionë fuçi nafte nga rezervat e tyre strategjike të naftës, në përpjekje për të ulur çmimet e naftës që janë rritur për shkak të ndërprerjeve në furnizim të shkaktuara nga lufta amerikano-izraelite kundër Iranit, tha sot Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright.

Ky i fundit deklaroi se kjo është pjesë e një lirimi më të gjerë prej 400 milionë fuçish nafte, për të cilin më herët gjatë ditës kishte rënë dakord Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA). Ai shtoi se lirimi i naftës do të fillojë javën e ardhshme dhe se dërgesat do të zgjasin rreth 120 ditë.


“Presidenti Trump premtoi të mbrojë sigurinë energjetike të Amerikës përmes menaxhimit të përgjegjshëm të rezervave strategjike të naftës, dhe ky veprim tregon përkushtimin e tij ndaj këtij premtimi”, tha Sekretari i Energjisë.


IEA njoftoi se 32 vende anëtare mbështesin këtë hap të dakorduar, i cili përfaqëson lirimin e gjashtë të koordinuar të rezervave që nga themelimi i agjencisë në vitet 1970.

Që nga fillimi i luftës është vështirësuar lundrimi në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht transportohet rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

Irani të mërkurën deklaroi se bota duhet të jetë e përgatitur për një çmim të naftës 200 dollarë për fuçi, ndërsa forcat e tij vazhdojnë të sulmojnë anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Edhe Trump reagoi për çmimet e naftës “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë prodhuesi më i madh i naftës në botë, kështu që kur çmimet e naftës rriten, ne fitojmë shumë para. POR, për mua si president është shumë më e rëndësishme dhe në interes më të madh të ndalojmë perandorinë e së keqes, Iranin, që të mos arrijë të ketë armë bërthamore dhe të mos shkatërrojë Lindjen e Mesme, dhe në fakt gjithë botën. Kjo nuk do të ndodhë kurrë sa të jem unë president! Faleminderit për vëmendjen”. /Telegrafi/