Trump pas takimit me udhëheqësit myslimanë: Do t'i japim fund luftës në Gaza

Presidenti amerikan, Donald Trump zhvilloi dje një takim me liderët e botës arabe dhe myslimane në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, ku u diskutua për përfundimin e luftës në Gaza.
Lideri amerikan u tha më parë gazetarëve se ky ishte takimi më i rëndësishëm për të, sepse, siç u shpreh, "do të përfundojë diçka që ndoshta nuk është dashur të kishte nisur kurrë".
"Duam ta përfundojmë luftën në Gaza. Do ta përfundojmë. Ndoshta mund ta përfundojmë menjëherë", theksoi ai.
Në takim morën pjesë liderët e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit.
Trump deklaroi se në takim ishin "të gjithë lojtarët e mëdhenj përveç Izraelit, por që ai do të jetë i radhës", duke iu referuar një takimi të planifikuar për javën e ardhshme me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
Trump on Gaza meeting with Muslim countries:
This is my most important meeting. We’ve had 32 meetings here.
This one is very important because we’re going to end something. It should have probably never started. pic.twitter.com/IF2DUWGvHp
— Clash Report (@clashreport) September 23, 2025
Udhëheqësi amerikan lavdëroi fjalimin e homologut indonezian, Prabowo Subianto në Asamblenë e Përgjithshme, në të cilin Subianto tha se paqja kërkon garantimin e sigurisë së Izraelit.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e përshkroi takimin me Trumpin si "shumë frytdhënës". Erdogan tha se do të publikohet një deklaratë e përbashkët nga takimi dhe se ishte "i kënaqur" me rezultatet, por nuk dha më shumë detaje.
Nga Emiratet e Bashkuara Arabe u njoftua se takimi ishte përqendruar në përfundimin e luftës aktuale në Gaza dhe në arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm.
U bë e ditur gjithashtu se prioritet ishin edhe lirimi i të gjithë pengjeve si dhe marrja e hapave për zgjidhjen e krizës humanitare në këtë enklavë të shkatërruar nga lufta. /Telegrafi/










































