Trump: Na lejuan apo jo, ne do të shfrytëzojmë bazat spanjolle nëse na duhen për Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se “do të pezullojë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Spanjën”, duke thënë se SHBA-ja nuk dëshiron të ketë asgjë me këtë vend.
Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Ai kritikoi qeverinë spanjolle për refuzimin e lejes që forcat amerikane të përdorin bazat ushtarake spanjolle për operacionet e tilla, duke i quajtur veprimet e tyre “shumë jo miqësore”.
Lideri amerikan tha se Spanja nuk ka asgjë që SHBA-ja të ketë nevojë, përveç njerëzve të saj të mrekullueshëm, por se udhëheqësit e vendit janë të “këqij”.
Duke komentuar për bazat ushtarake, Trump tha se SHBA-ja mund t’i përdorë ato edhe pa lejen e Spanjës dhe se askush nuk do t’i ndalojë, duke nënkuptuar një qëndrim të ashpër mbi sovranitetin e tyre.
Deklaratat e tij kanë çuar në një përkeqësim të raporteve midis Uashingtonit dhe Madridit, pasi Spanja zyrtarisht refuzoi përdorimin e bazave në Rota dhe Morón për sulmet e fundit kundër Iranit. /Telegrafi/





















































