Trump i kërkoi ndihmë për Iranin, Zelensky tregoi se si do të realizohet kjo gjë

Ukraina pritet të dërgojë brenda pak ditësh specialistë ushtarakë për të ndihmuar në mbrojtjen e bazave amerikane në Lindjen e Mesme nga dronët iranianë, në veçanti prej tipit Shahed, të cilët janë përdorur gjerësisht në pushtimin rus të ukrainasve.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili konfirmoi se Kievi ka marrë një kërkesë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara për mbështetje në këtë drejtim.
Sipas Zelenskyt, kërkesa e Uashingtonit lidhet me përvojën e madhe që Ukraina ka fituar gjatë luftës me Rusinë në identifikimin, gjurmimin dhe neutralizimin e dronëve Shahed.
Këta dronë, të prodhuar nga Irani dhe të përdorur në sulme ajrore, janë bërë një nga kërcënimet kryesore për infrastrukturën dhe objektet ushtarake në zonat e konfliktit. Për këtë arsye, ekspertiza ukrainase në luftën kundër tyre konsiderohet shumë e vlefshme edhe për mbrojtjen e bazave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Ne kemi marrë një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara për mbështetje specifike në mbrojtje kundër ‘Shahedëve’ në rajonin e Lindjes së Mesme. Kam dhënë udhëzim që të sigurojmë burimet e nevojshme dhe të garantojmë praninë e specialistëve ukrainas”, deklaroi ai.
Zelensky theksoi se Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën dhe teknologjinë e saj në luftën kundër dronëve, duke kontribuar kështu në forcimin e sigurisë së partnerëve të saj ndërkombëtarë. Vendosja e specialistëve ukrainas pritet të ndihmojë në përmirësimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, analizën e taktikave të përdorura nga dronët dhe zhvillimin e metodave më efektive për t’i neutralizuar ato.
Ky bashkëpunim konsiderohet gjithashtu një hap i rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. /Telegrafi/






















































