Nga: Lana Nusseibeh, zëvendësministre për Çështje Politike dhe e dërguar e posaçme e ministrit të punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Menjëherë pas sulmit të rëndë të Iranit ndaj Katarit më 23 qershor, Emiratet e Bashkuara Arabe u bashkuan me partnerët tanë të Gjirit, në një takim urgjent të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit në Doha. Ne e riafirmuam unitetin e sigurisë sonë të përbashkët dhe ofruam rrugë praktike për përparim. Raundi më i fundit i luftimeve nuk duhet të ketë befasuar askënd. Ishte rezultat i dekadave të mundësive të humbura dhe udhëheqjes së paefektshme, si dhe i përhapjes së konflikteve përmes përfaqësuesve [të Iranit] që kanë minuar mundësitë për paqe të qëndrueshme për të gjithë popujt e rajonit.


Për vite me radhë, dy koncepte të gabuara kanë mbizotëruar në Lindjen e Mesme: së pari, se vetëm forca mund të sigurojë stabilitet dhe siguri; dhe, së dyti, se shtetet në rajonin tonë mund të ndërtohen në mënyrë të sigurt mbi bazën e një ideologjie fanatike. Në fakt, fitoret ushtarake në Lindjen e Mesme shpesh janë të rreme dhe të brishta, ndërsa ideologjia ekstremiste nuk mund të krijojë kurrë shoqëri të sigurta, të qëndrueshme dhe të suksesshme.

Ndërsa dritarja për shpërshkallëzim po mbyllet, ekziston një mundësi që presidenti amerikan Donald Trump pas vete të lë një trashëgimi paqeje në mandatin e tij të dytë, duke u mbështetur në arritjen historike të mandatit të tij të parë: Marrëveshjet e Abrahamit. Gjatë 20 muajve të fundit të luftës në Gazë dhe zgjerimit të vazhdueshëm të vendbanimeve të paligjshme në Bregun e pushtuar Perëndimor, udhëheqësit e Emirateve kanë punuar pa pushim me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për të avancuar përpjekjet për armëpushim. Nëpërmjet diplomacisë dhe angazhimit me të gjitha palët, Emiratet kanë theksuar vazhdimisht nevojën për të rivendosur dialogun.

Javën e kaluar, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit i kërkoi Trumpit të shkojë edhe më tej. Duke e lavdëruar atë për "arritjen e një armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit", shtetet e Gjirit e ftuan atë "të ushtrojë përpjekje për të arritur një armëpushim të përhershëm në Gazë". Lufta në vazhdim në Gazë është pasojë e një dështimi kolektiv për të ndërtuar paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme. Konfliktet që pasuan në Liban, Siri, Jemen dhe Iran e kanë lënë rajonin në theqafje.

Rruga që zgjedhim tani do të skalisë të ardhmen e Lindjes së Mesme për dekada të tëra, ashtu siç ndodhi kur fati dhe kufijtë e saj u përcaktuan nga fuqitë e jashtme në fund të Luftës së Parë Botërore. Sot rajoni ndodhet në zemër të stabilitetit global; ujërat e tij janë arterie jetike të tregtisë botërore.

Pothuajse 30 për qind e ngarkesave globale të naftës që transportohen me anije, kalojnë nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit, dhe rajoni po shndërrohet me shpejtësi në një qendër për industri të orientuara drejt së ardhmes, si inteligjenca artificiale e fuqizuar nga energjia elektrike pa karbon. Fati i Lindjes së Mesme është i lidhur ngushtë me fatin e ekonomisë globale dhe sigurinë e miliarda njerëzve. Megjithatë, cikli i dhunës kërcënon të na kthejë sërish prapa. Në mes të kësaj vuajtjeje dhe këtij dëshpërimi të madh, përballemi me një mundësi që vjen një herë në një brez për të rimodeluar rajonin. Gjatë këtij procesi, nuk duhet të përsërisim gabimet që e kanë ndjekur rajonin për më shumë se një shekull, përfshirë vizatimin arbitrar të kufijve dhe ndjekjen e rivaliteteve të fuqive të mëdha mbi kurrizin e popullsive lokale.

Në të gjithë rajonin, akterët jo-shtetërorë dhe milicitë po shkatërrojnë shoqëritë, ndërsa shtetet kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazike të qytetarëve. Për sa kohë që këto shkaqe rrënjësore të paqëndrueshmërisë mbeten të paadresuara, çdo përshkallëzim rrezikon të shndërrohet në konflikt më të gjerë. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë prej kohësh avokate të një “agjende të moderuar” që synon një vizion gjithëpërfshirës të ekonomive të ndërlidhura, popujve dhe mirëqenies së përbashkët.

Për të shkuar përtej armëpushimeve afatshkurtra, do të duhet të adresohen këto dështime sistematike. Shtetet do të duhet të gjejnë guximin për të ardhur në tryezën e paqes me një plan më të guximshëm dhe më ambicioz për të ardhmen. Është e rëndësishme që partnerët arabë, së bashku me ShBA-në, Izraelin dhe Iranin, të ndërtojnë një arkitekturë rajonale të sigurisë që ofron stimuj, frenime dhe garanci. Kjo përfshin një plan gjithëpërfshirës për integrim ekonomik dhe investime për të nxitur rritjen; plane stabiliteti për Libanin, Sirinë, Irakun dhe Jemenin; marrëveshje përfundimtare për të gjitha çështjet e pazgjidhura kufitare; dhe, një shtet i shëndetshëm palestinez pranë një Izraeli të sigurt. Kjo nënkupton që Izraeli duhet të angazhohet në negociata drejt një zgjidhjeje politike - të vërtetë dhe të drejtë. Për sa kohë që palestinezëve u mohohet shteti i tyre, konflikti në rajon do të vazhdojë.

Ndryshe nga marrëveshjet e mëparshme, ku akterët kryesorë rajonalë u përjashtuan, vetë rajoni duhet të luajë një rol qendror. Emiratet e Bashkuara janë të gatshme të ndërtojnë ura aty ku të tjerët shohin vetëm mure, sepse ne e kuptojmë se, në fund, asnjë strategji e “murit prej hekuri” nuk mund të sjellë fitoren e plotë për asnjë vend apo popull. Ky moment historik do të përcaktojë nëse Lindja e Mesme do të mbetet një burim konflikti në botë, apo do të shndërrohet në një themel të paqes dhe mirëqenies të fuqizuar nga teknologjitë e së ardhmes. Tani është koha për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Pyetja është: kush do të guxojë t’i prijë rrugës? /Telegrafi/