Bordi i Paris Saint-Germain po punon për të forcuar skuadrën e tij gjatë afatit kalimtar të dimrit. Udhëheqësit francezë duan të rrisin tre pozicione që nuk po performojnë në nivelin e dëshiruar nga trajneri i tyre, Luis Enrique.

Ndryshe nga edicionet e mëparshme, Paris Saint-Germain u tregua më i kujdesshëm gjatë afatit kalimtar veror.


Edhe pse klubi nga "Parc des Princes" shpenzoi mbi 100 milionë euro, në radhët e tij u bashkuan vetëm dy lojtarë të rinj, portieri Lucas Chevalier dhe mbrojtësi Ilya Zabarnyi.

Megjithatë, drejtuesit sportivë të kampionëve francezë janë të vetëdijshëm se skuadra ende nuk është e kompletuar në të gjitha repartet, ndaj tashmë kanë filluar të punojnë për afatin kalimtar të janarit, PSG synon të përforcojë së paku tre pozita kyçe.

Objektivat kryesorë

Prioriteti kryesor i klubit është afrimi i një anësori të djathtë, por me këmbën e majtë si dominante, një profil lojtari që është relativisht i rrallë në tregun aktual, gjë që ka shtuar vëmendjen e skautëve në kërkim të mundësive të reja.

Përveç kësaj, PSG po shqyrton mundësinë e afrimit të një mesfushori dhe një mbrojtësi, pozita që nuk kanë dhënë ende nivelin e pritshëm sipas vizionit të trajnerit Luis Enrique.

Sidoqoftë, klubi mbetet i prerë, nuk do të kryejë blerje të panevojshme, por vetëm nëse paraqitet mundësia për të siguruar lojtarë me ndikim real dhe cilësi të lartë. /Telegrafi/

telegrafi sport app