Tri ndeshje, tre gola – Albion Rrahmani ka rikthyer formën, shënon edhe në Ligën e Konferencës

Sparta Praga ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj ekipit rumun Universitatea Craiova në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Një ndër më meritorët pse gjiganti çek mori pikët e plotë në këtë sfidë, ishte sulmuesi kosovar Albion Rrahmani.
Pas kritikave të shumta që kishte marrë shkaku i mungesës së golave, Rrahmani me golin e sotëm tani ka tre gola në tri ndeshjet e fundit, duke konfirmuar ringritjen në formë.
Për shkak të golit dhe paraqitjes së tij, Rrahmani u dallua si një ndër lojtarët më të mirë në fushë duke marrë notën 7.7 nga Sofascore.
Rrahmani fitoi gjithsej tri duele në këtë ndeshje, gjashtë pasime të sakta si dhe një driblim të kompletuar.
Ndeshjen e radhës Sparta Praga do ta luajë ndaj Liberec në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit çek, ku Rrahmani do të ketë mundësinë të shtojë numrin e golave./Telegrafi/



















































