LAJMI I FUNDIT:

Trepça 10 vjet pas Pavarësisë me shumë sfida e vështirësi

Trepça 10 vjet pas Pavarësisë me shumë sfida e vështirësi
-->

Gjiganti metalurgjik Trepça, edhe pas 10 viteve të Pavarësisë së Kosovës, nuk po arrin të rimëkëmbet për shkak të vakuumit ligjor.

Miratimi i Ligjit për Trepçën 15 muaj më parë, por që nuk po mund të zbatohet për shkak të mos përzgjedhjes së Bordit mbikëqyrës nga Qeveria, ka sjellë telashe të mëdha në funksionalitetin e saj.

Udhëheqësit e kësaj ndërmarrje shpresojnë se këtë vit do të fillojë zbatimi i Ligjit për Trepçën, në mënyrë që më në fund të shënohet epoka zhvillimore e këtij gjiganti.

Ahmet Tmava, menaxher i Trepçës, ka bërë të ditur për KosovaPress se problemet tashmë të njohura pas luftës në Trepçë, kanë bërë që kjo të jetë periudhë e mbijetesës me sfida dhe vështirësi të shumta për ta.

Sipas tij, periudha e pasluftës ka qenë angazhim i jashtëzakonshëm me kushte mjeruese, por përkundër kësaj është arritur të ruhen asetet minerare nga përmbytjet, sidomos në minierën e Stantërgut.

“Meqenëse tani u bënë 15 muaj prej momentit të aprovimit të Ligjit, të paktën në këto momente po presim se më në fund do të fillojë zbatimi i Ligjit për Trepçën dhe të shënohet epoka zhvillimore e Trepçës. Që nga viti 2008 e deri tani çdoherë janë bërë përpjekje në aspektin e ruajtjes së aseteve të objekteve minerare në mënyrë që të jemi sa më të gatshëm me marrë përgjegjësi zhvillimore.Për krejt këtë periudhë, të gjitha aktivitetet janë bërë në funksion të mbijetesës. Përkundër problemeve të shumta në aspektin e mbijetesës, Trepça të hyrat i krijon nga shitja e koncentratit na kanë bërë të mundur që dy vitet e fundit t’i përmbyllim me një bilans pozitiv në aspektin financiar, që të paktën të mos jemi barrë e shtetit.

Tmava ka treguar edhe për disa investime që janë bërë dhe për ngritje të pagave si dhe disa përparësi tjera.

Por që sipas tij këto nuk janë të mjaftueshme pasi që sipas Tmavës nëse hyhet në politikat zhvillimore mundësia e eksloatimit të prodhimit të koncentratit mund të krijojë kushte për punësim të punëtorëve të rinj, por edhe përmirësim shumë më të mirë të gjendjes financiare të punëtorëve.

“Them edhe njëherë, Trepça tanimë nuk është as shoqëri aksionare, as ndërmarrje shoqërore, publike, sepse është në vakumin ligjor. Si ndërmarrje shoqërore nën AKP prej se është aprovuar Ligji, nuk ka kompetenca AKP-ja, kurse që ta menaxhojë qeveria, duhet të bëhet regjistrimi i ndërmarrjes me statutin e ri, që të bëhet statuti duhet Bordi mbikëqyrës, që të dërgohet statuti në Parlament të aprovohet dhe të bëhet regjistrimi i ndërmarrjes, ndërsa kjo nuk po ndodhë. Kështu që jemi në një rrethanë prej momentit të aprovimit të Ligjit, në vend se të ecet në implementim dhe zhvillim të epokës zhvillimore, ne në njëfarë formë jemi me probleme vepruese në aspektin e një situate të tillë ligjore”, tha Tmava.

Drejtori teknik i minierës me flotacion, Hamëz Hamza, tha se përkundër vështirësive, gjendja e përgjithshme në minierën e Stantërgut është e mirë.

“Gjendja në minierën e Trepçës është për çdo vit duke u përmirësuar, kështu që për momentin, në krahasim me para 10 vite, tash është gjendja shumë më e mirë… Tani janë disa gjëra shumë më mirë… Kryesisht sigurimi.. kontratat e punës i kemi zgjidhur, kjo ka ndikuar edhe tek punëtorët sepse janë më të kënaqur ”, theksoi Hamza.

Edhe Ramadan Gjeloshi, njëri nga punëtorët e vjetër në minierën e Stantërgut, ka bërë të ditur se kushtet e përgjithshme të punëtorëve në krahasim me të kaluarën, sot janë më të mira.

“Fuqia punëtore është më e dobët, kemi nevojë për punëtorë më shumë se sa në atë kohë…Kushtet atëherë kanë qenë minimale. Tash jemi në pavarësinë e Kosovës… prej rrogave nuk jemi keq, po flas në rrethana të Kosovës… Pajisjet janë bukur mirë… presim nga qeveria të punësohen më shumë punëtorë që të tejkalojmë prodhimin, sepse me pak punëtorë prodhim nuk ka”, tha ai.

Ndryshe, pas miratimit të Ligjit për Trepçën, Qeveria e Kosovës është dashur ta bëjë përzgjedhjen e Bordit Mbikëqyrës, gjë që është premtuarës do të vendoset së shpejti. /Telegrafi/