LAJMI I FUNDIT:

Tregtarët kundërshtojnë projektin për Tregun e Gjelbër në Prishtinë

Tregtarët kundërshtojnë projektin për Tregun e Gjelbër në Prishtinë

Shfrytëzuesit e lokaleve në Tregun e Gjelbër të martën kanë protestuar para Komunës së Prishtinës lidhur me projektin e tregut të ri, ku sipas tyre, plani i ri i dëmton bizneset.

Kryetari i Shoqatës së Zejtarëve të Prishtinës, Enver Pakashtica tha se lidhur me projektin e tregut të ri këta si zejtarë nuk janë njoftuar fare.

Derisa nuk e dinë se çka do të ndodh me fatin e tyre, Pakashtica thotë se ditët në vijim presin të takohen me kryetarin e komunës së Prishtinës. Madje ai thotë se lidhur më projektin janë njoftuar përmes mediave.

“Është bërë projekti i tregut të ri të qytetit të Prishtinës aty janë mbi 80 lokale, aty jemi anashkaluar kurrfarë informate nuk kemi çka po ndodh me fatin e atyre lokale tona që mbi 40 vite që e ushtrojmë veprimtarinë tonë. Nuk e kemi kundërshtuar planin as nuk dimë çfarë projekti është as nuk jemi ftuar në takime”, tha Pakashtica.

Edhe Lindita Leti e cila e ka një dyqan nusërie thotë se largimi nga ajo zonë ku ajo vepron do e dëmtojë shumë biznesin e saj.

“Dyqanet duan të na rrënojnë me mund me na i bërë zgjedhje, babai prej 68 dyqanin e ka edhe ne nuk dimë pse duan t’i rrënojnë, qysh nuk jemi në ngjarje për asnjë gjë. Dëmtim shumë i madh për shembull unë vajzën e kom me probleme dyqanin e kam aty nuk kam zgjidhje tjetër”, tha ajo.

Kundër këtij projekti është shprehur edhe zejtari Arben Pakashtica i cili planin e konsideroi të dëmshëm për zejtarët. Ai madje thotë se nëse do ishte një projekt tjetër dhe do merrej mendimi i tyre, ata do e përkrahnin komunën e Prishtinës edhe financiarisht.

“Kur e kanë bërë projektin jemi anashkaluar ky projekt është shumë i keq është i bukur me i pa por për biznes është shumë i keq.. Sepse do jetë një treg shumë i vogël ne kemi pasur punë gjithmonë me treg. Tregtarët dalin gjithmonë jashtë tezgave nuk rrinë aty brenda dhe balli është hapur. Neve kanë me na bërë si dy katëshe tek ne myshteriu nuk hypë në kat të dytë”, u shpreh ky zejtar.

Ditë më parë Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka nisur procedurat e prokurimit për tregun e ri, i cili do jetë pjesë e integruar e zonës historike të qytetit. Procedurat e prokurimit do jenë të hapura deri më 10 shkurt. /KP/Telegrafi/