LAJMI I FUNDIT:

Trefishohet numri i kërcënimeve ndaj gazetarëve në Maqedoninë e Veriut

Trefishohet numri i kërcënimeve ndaj gazetarëve në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut është rritur për trefish numri i kërcënimeve që kanë marrë gazetarët përmes rrjeteve sociale, duke mos përjashtuar as edhe rastet e sulmeve fizike, teksa shoqatat e gazetarëve kërkojnë ndryshime ligjore, në mënyrë që këto raste të ndiqen penalisht.

Shoqata e Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, thotë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 12 raste të sulmeve ndaj gazetarëve.

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve, në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut ka vite që kërkojnë ndryshime në Kodin Penal, duke kërkuar që aty të thuhet që sulmet ndaj gazetarëve të trajtohen si sulmet ndaj personave zyrtarë.

Dragan Sekullovski nga Shoqata e Gazetarëve sqaron se me këto ndryshime në Kodin Penal, nuk po kërkohet që gazetarët të marrin statusin e personave zyrtarë, por sulmuesit të përndiqen me automatizëm sipas detyrës zyrtare nga organet e rendit dhe gjyqësori dhe jo gaztorët vetë të kërkojnë drejtësinë.

Sekullovski thotë se qeveria, e cila është në largim, disa herë në mënyrë deklarative ka mbështetur ndryshimet në Kodin penal, por nuk janë ndërmarrë veprime konkrete.

“Më duhet të theksoj se 2020-ta do të jetë një vit i mbrapsht për gazetarët dhe punonjësit mediatikë për sa i përket sigurisë, sepse në gjysmë e parë të këtij viti tashmë kemi regjistruar 12 raste, me ç’rast gazetarët janë kërcënuar përmes rrjeteve sociale, por edhe përmes telefonit. Specifike është se nga 12 rastet e paraqitura, tetë raste përkatësisht, dy të tretat janë gazetare. Gjatë vitit 2019 kishim gjithsej katër raste (të kërcënimeve ndaj gezetarëve)”, thotë Sekullovski.

Nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, theksojnë se me ndryshimet e kërkuara në Kodin Penal, mëtohet që të lehtësohen procedurat, ku Ministria e Brendshme dhe prokuroritë, do të obligohen që në bazë të detyrës zyrtare, të ndjekin penalisht të gjithë ata persona që sulmojë apo kërcënojnë gazetarët.

“Me vetë faktin se institucionet do të jenë të obliguara që të reagojnë sipas detyrës , kjo paraqet një lloj dekurajimi për sulmuesit potencialë dhe bazë e mirë për zvogëlimin e mosndëshkueshmërisë, që është kruciale për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Darko Duridanski nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Mediave të Shtypura, Lirim Duvolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbështetë iniciativën për ndryshimet e Kodit Penal rreth çështjes së sulmeve ndaj gazetarëve, por shton se problemi nuk qëndron vetëm në rregullimin normativ për sa i përket sigurisë së gazetarëve, por në zbatimin e ligjeve dhe veprimin e institucioneve përkatëse kur gazetarët kërcënohen.

“Çështje me shumë rëndësi është zbatimi i ligjeve që tashmë janë në fuqi, e që për mendimin tim nuk gjejnë zbatim normativat ligjore që mbrojnë gazetarët nga sulmet e ndryshme. Kjo lidhet drejtpërdrejti me kritikat e shumta që Komisioni Evropian i ka bërë sistemit të drejtësisë së Maqedonisë Veriut, për shkak se në shumë raste i ka sakrifikuar të drejtat e gazetarëve karshi politikës apo personave të fuqishëm në vend”, thotë Dullovi.

Nga ana tjetër, gazetari Isen Saliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se me ndryshimet në Kodin Penal, përbërja e re parlamentare mund të japë një mesazh të fuqishëm se shteti ka prioritet lirinë e shprehjes, si një prej shtyllave kryesore të zhvillimit të demokracisë, që është edhe në përputhje me standardet e BE-së.

“Deputetët e rinj në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ndryshimet në Kodin Penal duhet t’i kenë një nga detyrat e para, me qëllim që të japin një mesazh pozitiv se pas këtyre zgjedhjeve kemi një parlament, që synim kryesor ka integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Gjithnjë duke pas parasysh faktin se çfarë rëndësie i jep Brukseli lirisë së medias, mendoj se ndryshimet në Kodin Penal do të ishin një fillim i mbarë i përbërjes parlamentare sepse profesioni i gazetarit në Maqedoninë e Veriut është profesion me rrezik”, thotë ai.

Ndryshe, në bazë të raportit të Reporterëve pa Kufij, Maqedonia e Veriut gjatë viti 2019 është renditur në vendin e 92-të për sa i përket lirisë së mediave, ndërkaq në vitin 2018 ishte në vendin e 109-të./Rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Kronika e Zezë
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori