Tre gjigantë anglezë në ‘luftë’ për Tonalin, Newcastle kërkon rreth 120 milionë euro

Mesfushori italian, Sandro Tonali, është bërë objektiv i tre prej klubeve më të mëdha të Ligës Premier, por Newcasle United vazhdon ta vlerësojë shumë lartë dhe çmimi i kërkuar mund të bëjë që një transferim të mos materializohet.
Sipas gazetarit italian, Nicolo Schira, Arsenali, Manchester City dhe Manchester United janë të gjithë në garë për të nënshkruar Sandro Tonali këtë verë.
Schira shton se Newcastle kërkon rreth 100 milionë funte (115 milionë euro) për mesfushorin, i cili më parë ishte kontaktuar nga Arsenali në shkurt.

Muajin e kaluar, gazetari kishte raportuar se Arsenali po përpiqet fort të nënshkruajë me Tonalin dhe i ka propozuar një marrëveshje fitimprurëse deri në vitin 2031 për ta bindur atë.
Megjithatë, një transferim mbetet i komplikuar shkaku që Newcastle kërkon 100 milionë funte dhe ngurron ta shesë atë.
Tonali ka tërhequr shumë emra të mëdhenj falë performancave të tij dominuese në mesfushë, një pozicion që Unitedit i mungon veçanërisht në thellësi. /Telegrafi/



















































