LAJMI I FUNDIT:

Transparenca e ministrive – të përditësuara me lajme por jo edhe me raporte të nevojshme për qytetarët

Transparenca e ministrive – të përditësuara me lajme por jo edhe me raporte të nevojshme për qytetarët

Në Kosovë ka pasur në vazhdimësi kritika ndaj institucioneve të shtetit për mënyrën se nuk janë transparente për ofrimin dhe qasjen në dokumente publike.

Për këtë ka pasur edhe raporte të monitorimit të organizatave të ndryshme në vend, të cilat kanë kritikuar për institucionet në nivel lokal dhe qendror për transparencë të duhur.


Shumica e institucioneve në Kosovë janë të hapura për sa i përket publikimit të lajmeve lidhur me aktivitetin e tyre, mirëpo disa prej tyre nuk i publikojnë raportet apo dokumentet e tjera që janë në interes për qytetarët.

Sipas të dhënave, shkruan Telegrafi, nga 16 ministritë që ka Qeveria e Kosovës, të gjitha publikojnë lajme, e disa prej tyre kanë të dhëna dhe vegëza më të detajuara.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në ueb-faqen e saj, çdo ditë publikon lajme, por ka mungesë të publikimeve dhe raporteve. Kjo ministri, ka vegëza të tjera që japin të dhëna më të detajuara, veçanërisht për ambasadat e Kosovës në botë.

Në Ministrinë e Drejtësisë, lajmet janë të përditësuara çdo ditë. Po ashtu, janë prezentë dhe publikimet dhe raportet. Përveç këtyre të dhënave, MD-ja ka të publikuara ligjet dhe rregulloret që janë në funksion të kësaj ministrie.

Ministria e Financave, përveç publikimit të lajmeve, është mjaftë e përditësuar edhe me raporte dhe dokumente. Kjo ministri, e ka edhe Portalin e Transparencës, që është një set i të dhënave për buxhetin e nivelit lokal dhe atij qendror.

Portali i Transparencës, prezantuar nga Ministria e Financave

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit janë të përditësuara lajmet nga aktivitetet, por mungojnë publikimet dhe raportet periodike. Kjo ministri jep të dhëna për indikatorët makroekonomik të vendit.

Pandemia COVID-19 ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të jetë mjaftë aktive në ofrimin e të dhënave. Nga një vëzhgim në ueb-faqen e saj, del se MSH-ja ka të dhëna të detajuara, duke u nisur nga lajmet ditore, raportet apo publikimet e tjera.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është e përditësuar me lajme, raporte dhe publikime. Po ashtu, MPMS ofron dokumente me rëndësi, siç janë format e disa kontratave.

Për sa i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme, në ueb-faqen e saj ofron lloj-llojshmëri të dhënave. MPB-ja jep të dhëna për shërbimet e ndryshme që janë për qytetarët, po ashtu të dhëna për fluksin në kufijtë e Kosovës.

Në Ministrinë e Mbrojtjes përveç lajmeve të përditshme nga aktiviteti i ministrisë, ofrohen edhe të dhëna apo raporte të rëndësisë së veçantë. Kjo ministri, e ka të përditësuar edhe shërbimin e njoftimeve periodike.

Ministria e Infrastrukturës ofron një lloj-llojshmëri të të dhënave, duke filluar me publikimin e ligjeve, licencave, rregulloreve dhe dokumenteve të ndryshëm. Po ashtu, MI-ja jep të dhëna edhe për Aviacionin Civil dhe atë për rregullat e komunikacionit.

Transparenca e ministrive të Qeverisë së Kosovës

Gjatë pandemisë COVID-19, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka qenë aktive në ueb-faqen e saj për ofrimin e të dhënave dhe shërbimeve. E veçanta e kësaj ministrie është se tashmë e ka lëshuar në përdorim shërbimin “e-mësimi”, që po ofrohet për të mësuar online për të gjithë nxënësit e Kosovës.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është një nga institucionet që ofron mjaftë të dhëna në ueb-faqen e saj për vizitorin. MBPZHR-ja ofron shërbimin për aplikimin online për subvencionime dhe grante për fermerët.

Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport është e plotësuar për sa i përket ofrimit të të dhënave, pasi që në ueb-faqen e saj ofrohen mjaftë të dhëna. MKRS-ja jep informata të vazhdueshme për aktivitetin e saj, si dhe dokumente të ndryshme. Po ashtu, kjo ministri vazhdimisht njofton për konkurset e ndryshme më projekte.

Në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete jepen të dhëna për numrin e të zhvendosurve që nga viti 1999, të ndara në komuna. Po ashtu, MKK-ja publikon raporte lidhur me kthimet, dokumenatcione për politikat dhe pasqyra të ndryshme. Nuk mungojnë lajmet ditore nga aktivitetet e ministrisë.

Edhe pse është krijuar vonë, Ministria për Zhvillim Rajonal është mjaftë e pasur me të dhëna që ofrohen në ueb-faqen e saj. MZHR-ja jep të dhëna për politikat dhe strategjitë e saja, legjislacionin që e përdor gjatë punës saj dhe raporte e publikime të ndryshme.

Transparenca e ministrive të Qeverisë së Kosovës

Ministria e Pushtetit Lokal përveç lajmeve ditore, në ueb-faqen e saj ka të vendosura mjaftueshëm vegëza të jashtme që ofrojnë informata që lidhen me punën e saj. MPL-ja ofron publikime, dokumente dhe raporte në interes të publikut.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë të publikuara informata të ndryshme për bizneset, siç janë të dhënat për tregtinë, investimet dhe turizmin e hotelerinë në Kosovë. Përveç kësaj, MTI në ueb-faqen e saj ka të publikuara dokumente të ndryshëm që lidhen me projektet aktuale që i zhvillon kjo ministri.

Kujtojmë se Kosova ka Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, i cili garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.

Në kudër të fushëveprimit, Ligji zbatohet për të gjitha dokumentet publike që prodhohen, pranohen, mbahen, apo kontrollohen nga institucionet publike, përveç në rastet kur kufizohet ndryshe me legjislacionin në fuqi.

Ky Ligj nuk cenon të drejtën për qasje në dokumente publike që mbahen nga institucionet publike, e të cilat mund të rrjedhin nga instrumentet ligjore ndërkombëtare apo aktet e institucioneve të cilat i zbatojnë ato.

Pra, këto institucione detyrohen të publikojnë, në mënyrë proaktive, çdo dokument publik, të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar nga to, menjëherë pasi dokumentet e tilla të jenë bërë të gatshme për publikim. /Telegrafi/

Ky artikull është shkruar nga Telegrafi.com në kuadër të projektit Open Goverment Data Ecosystems, financuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe zbatohet nga Open Data Kosovo. Ky artikull nuk reflekton pikëpamjet dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane.