LAJMI I FUNDIT:

Traktati i Fshehtë i Vlorës!

Traktati i Fshehtë i Vlorës!

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë janë parësore, për arsye historike, strategjike, ekonomike dhe kulturore. Në 46 vitet e diktaturës, ky vend ishte dritarja e shpresës, zëri i lirisë, toka ku strehohej disidenca jonë më e ndriçuar, ndërsa për 33 vjetët e tranzicionit, Italia u shërbeu shqiptarëve si mikpritësja e jashtëzakonshme. Gati një milion shqiptarë u janë bashkëngjitur “gjakut tonë të shprishur” dhe jetojnë si shtetas të denjë dhe të lirë të Republikës së Italisë, si qytetarë të Evropës. Sikur Shqipëria e këtyre 33 vjetëve të kishte pasur kastriotas, ismailistë, konicianë, fishtianë, prishtinásë dhe koliqianë në politikëbërjen e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Italia do të kishte qenë shtylla e referencës për përparimin evropian të vendit. Fatkeqësisht, endjet e paarsyeshme drejt askundit, interesat e padukshme e kanë lëvizur boshtin strategjik të shtetit në atë masë sa ende konsiderohemi shtet joserioz, me “adoleshencë” të zgjatur dhe trup të cepuar. Shqipëria e tranzicionit nuk ka ditur asnjëherë të lexojë, me ekspertizën e nevojshme, historinë e politikës së jashtme italiane. Në agimin e pavarësimit të Shqipërisë, Italia ishte mbrojtësja e Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, ekonomike dhe kulturore, duke përforcuar ndërkombëtarisht pozicionin e shtetit protektor – themeluesit të jashtëm të shtetit shqiptar, Perandorisë Austro-Hungareze. 14 muaj më vonë, në gushtin 1914, i njëjti partizan i independencës, ministri i Jashtëm San Giuliano, për interesa kompensuese gjetkë, bëri gabimin e ofertimit tërësor të territorit shtetëror shqiptar si plaçkë ndarjeje në tavolinën e Antantës, që as Sonnino, ministri vijues, nuk do të mund ta ndryshonte dot. Salandra dhe Sonnino do të “nënshkruajnë” më 26 prill 1915, në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare të një Shqipërie mjaft të brishtë që jetonte vetëm në kujtimin e pjesëve më të ftilluara të nacionit, duke bashkuar padenjësisht qëndrimin e Italisë me interesat e ndarjes së tokës arbnore me Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë.

Pas Luftës së Parë Botërore qëndrimi i të njëjtëve politikanë e diplomatë fitimtarë italianë (Orlando, Nitti, Tittoni) është lëkundur mes politikës që solli në nxitjen dhe nënshkrimin e Traktatit të Fshehte të Londrës deri në rinjohjen e shtetit shqiptar më 9 nëntor 1921, me “gozhdën” e pozicionit mbikëqyrës të Italisë që u përdor si “shpjegim legjitim”, me mjaft efikasitet, nga klika fashiste e drejtuar nga Mussolini dhe Konti Ciano, shërbëtorët e tyre, Francesko Jacomoni, Giovanni Giro, Piero Parini, Salvatore Meloni, një numër njerëzish të pandreqshëm, për pushtimin, shfrytëzimin dhe vjedhjen e Shqipërisë së ngratë nga 7 prilli 1939 deri më 9 shtator 1943. Megjithatë, edhe në këtë kohë të dekadës së dytë dhe fillimit të tretës të shekullit XX kanë spikatur politikanë italianë që kanë treguar realizëm, dashamirësi ndaj interesave të vërteta të Shqipërisë, mes të cilëve duhet të dallojmë Gioviani Giolittin: në vitin 1915 ai bëri çmos të bllokonte përpjekjen e Salandras për të bërë marrëveshje të fshehtë me Antantën në dëm të Shqipërisë dhe pas Luftës së Madhe të korrigjojë politikat e Nittit, politikën aspak miqësore të Orlandos dhe të shfuqizojë Traktatin Tittoni-Venizelos që lejonte aneksimin e Shqipërisë së Jugut.


Ishte ai që mori vendimin për tërheqjen nga Vlora në vitin 1920, por që u sabotua nga qarqet militariste të cilat çuan më pas në përplasje, në Luftën e Vlorës. Italia ka shërbyer pas Luftës së Dytë Botërore si dritarja e shpresës për qytetarët shqiptarë të burgosur në Kampin e Madh të Përqendrimit Komunist dhe në momentin e parë të hapjes së përdhunshme të dritares ringjallëse, në vitin 1991, ky vend shërbeu si platforma e parë e lirisë e cila priti dhe vazhdon të presë qindra mijëra shqiptarë që kërkojnë pambarimisht një jetë më të mirë, por edhe dinjitet dhe barazi në trajtim. Një numër i madh kryeministrash të vendit fqinj dhe mik kanë treguar në bashkëkohësi gjithë vullnetin e tyre për një kujdes të veçantë ndaj Shqipërisë, që edhe në tranzicionin që nuk po mbaron kurrë lëvizte e paorientuar strategjikisht, me frekuenca të çrregullta, jologjike dhe përkundrejt dëshirës popullore për ta bërë vendin si e gjithë Evropa.

Kryeministrat Andreotti, Amato, Ciampi, Prodi, Berlusconi, Renzi, Conte e Draghi gëzojnë nderimin e qytetarëve shqiptarë për ndihmën e pakursyer të dhënë nga Italia në Shqipëri, në aspektin asistencial pavarësisht se ato nuk arritën asnjëherë të njohin aspiratën tonë për qytetari evropiane, respektin tonë të sinqertë e dinjitoz ndaj Italisë në mënyrë që të aprovonin një legjislacion të posaçëm për trajtim të barabartë të shtetasve shqiptarë me evropianët e tjerë, nisur nga arsyet historike, “borxhit të vjetër”, faktit që Adriatiku ka ndërtuar në shekuj një bashkësi kulturore, politike dhe të rezistencës së përbashkët për shekuj me radhë në Ulqin, Shkodër, Lezhë, Shëngjin, Rodon, Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Për të ardhur te Marrëveshja e Fshehtë e imponuar, perceptimi im është pabesisht, ndaj Shqipërisë qytetare dhe të emancipuar, nga zonja Meloni, më 15 gusht 2023, që u shpërfaq në publik papritmas në Romë, me 6 nëntor 2023.

Askush nga organet që mbrojnë shtetin, sigurinë nacionale, nuk ngre pyetjen: Si mund të negociohet sovraniteti shtetëror jashtë protokolleve qeveritare, zyrave shtetërore, larg nga tagret e organit sovran dhe fshehtas opinionit publik, që duhet të ketë transparencë në çdo çast?! Shqipëria e varfër, e mjerë, e korruptuar, e shpopulluar, e denatyralizuar, pa rini, projektohet përulësisht nga dikush si trampolinë shpëtimi për ekipin aktual qeveritar italian, që shpalos gjithë mungesën e fisnikërisë dhe ecën përkundrejt trashëgimisë politike të lënë nga Berlusconi për kujdes të posaçëm ndaj vendit të “Shqiponjave të shpërndara”. Dhe, në këtë Shqipëri, sërish zgjidhen dy pista të vetme për themelimin e dy kampeve gjigante dhe të pangjashme për asnjë vend tjetër evropian mikpritës: San Giovani di Medua dhe Sapa. Le të bëjmë të qartë disa elemente: Ne shqiptarët jemi një popull që kemi krijuar emigracionin më të madh të mundshëm në këto 33 vjetët e rënies së regjimit diktatorial, me mbi 60 për qind të popullsisë së ikur nga vendi. Për rrjedhojë, duke qenë të tillë në plagët tona komunitare, ne parimisht jemi për një kujdes të posaçëm ndaj të drejtave të njerëzve që kërkojnë një jetë më të mirë. Në parim, integrimi i Shqipërisë në mbështetjen e vendeve evropianë në përballimin e valëve emigrante, nuk ka ndonjë gjë për t’u kritikuar.

Mirëpo, në qoftë se angazhimi proporcional, i shpërndarë drejt në territorin shtetëror, është një vepër e arsyeshme, e drejtë, humane, me tregues të qartë të mikpritjes sonë tradicionale, një angazhim brenda mundësive në veprimtarinë e përkrahjes sociale, shndërrimi i një Bashkie të vetme, dy vendbanimeve të përfshira në Dioqezat e Lezhës dhe Sapës, dy zonave të boshatisura dhe të pastruara egërsisht nga regjimet post-komuniste prej vendësve arbnorë në kampe të posaçme dhe unike në Shqipëri, të pritjes, të grumbullimit dhe të strehimit të një numri të pamatë refugjatësh (39 mijë refugjatë në vit), masë njerëzore e pamundur për t’u komanduar dhe menaxhuar edhe nga vende me siguri publike të garantuar, me rend publik dhe sundim të ligjit, është një diçka krejt tjetër që mund të konsiderohet pa ngurrim si e paarsyeshme, që shkon përkundër interesit komunitar e sigurisë kombëtare, përkundër të drejtave komunitare që edhe kështu janë të mangëta, kundër interesave të ruajtjes së stabilitetit ndërkomunitar të përcaktuar nga konventat kushtetuese themelvënëse të shtetit shqiptar, dhe në fund fare, qartazi një vendimmarrje e papërgjegjshme, e qëllimshme rrënimtare.

Caktimi i njëanshëm dhe përkundër rregullave demokratike të vendimmarrjeve të konsultuara demokratikisht me komunitetin (me anë të referendumit), i një zone të vetme hyrëse dhe pritëse brenda 28 mijë kilometra katrorë, orientimi drejt zonës më të varfër të Shqipërisë më me pak investime publike në vend nga qeveritë postkomuniste, targetimi për të dytën herë i Shëngjinit si porti i hyrjes së “boat people”, vendimmarrja për ndërtimin e kampit gjigant të refugjatëve në Zadrimë mu në brinjë të vendit të mbledhjes së Kuvendit të Arbrit, në lëndinat e Famullisë së Kuklit, Muzeut të Ndre Mjedës, në një zonë që sapo ka filluar të zhvillojë turizmin, është i paligjshëm nga pikëpamja procedurale demokratike, shkon përkundër parimit themelor të vendimmarrjes që imponon shpërndarje proporcionale dhe të drejtë në vend të barrëve të treta që duhet të mbajë shteti. Pyetja qe na lind vetvetiu është kjo: A do të ishte më e arsyeshme që edhe portet e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe skela të tjera të shërbenin barabar me Shëngjinin për të pritur një numër të arsyeshëm refugjatësh për Shqipërinë, por kurrë atë të vendosur nga dy kryeministrat në shtëpitë e pushimit në Vlorë? Që edhe zonat me fusha të pamata në qendër të vendit të ishin në planin e “arsyeshëm” të të dyja qeverive?!

Zonja Meloni e di se nuk mund ta impononte një vendim të tillë për këto anë, jo vetëm se do të gjente kundërshtinë e vendit fqinj jugor, që është shumë i vëmendshëm ndaj çdo cenimi të ekuilibrave kulturorë dhe të drejtave të ato anë, por edhe për shkak të interesit që oligarkia aktuale financiare sunduese në Shqipëri ka në jug, për shkak të investimeve që kanë derdhur mbi turizmin, të ngrirjes në një numër të madh “investimesh strategjike” të parave të ardhura nga jashtë në rrugë të panjohura nga oligarkët e fondeve publike dhe krimi i organizuar. Ajo ka zgjedhur/pranuar me oportunizëm përfitues, një rajon pa protektor (Italia do të duhej të ishte protektorja, meqë ra fjala, por ajo ka hequr edhe konsullatën e saj shekullore nga Shkodra) dhe të boshatisur tinëzisht enkas nga popullsia vendase një hapësirë ku është kryer pa u ndalur, në këto 33 vjet, pastrim i heshtur kulturor, me një mijë mënyra privuese nga gëzimi i shërbimeve të një shoqërie demokratike. Regjistruesit e censit besoj janë ende të shtangur nga katastrofa demografike në Shkodër, Malësi, Nënshkodër, Zadrimë etj. Atë e shohin dhe e ndjejnë të gjithë veç entuziastëve të dekoreve dhe cirqeve marramendës. Dikush mund të më kundërshtojë me shembujt e vendeve të tjera evropiane që presin pandërprerë emigracion.

Mirëpo, Shqipëria nuk është e tillë, në asnjë aspekt. Ky vend nuk ka një klasë të mesme pronare në nuklin themelor të shoqërisë të stabilizuar prej shekujsh dhe dekadash pararendëse, të cilës nuk mund t’ia cenojë jetën e vet të stabilizuar, emigracioni i ri. Aq më pak ekziston kjo shoqëri e qëndrueshme dhe solide në Shqipërinë e veriut. Në një shoqëri të varfër masivisht, me familje të tëra të larguara, me një brez të ri të ikur në total, në një territor të boshatisur, me shkolla që mbyllen në rënie kaskadë, por që shpresa e rikthimit të një dite të mirë, e rindërtimit të jetës në atdhe ende nuk është shuar, nuk mund të sjellësh dhe të ngulësh një popullsi tjetër. Kjo është baras me pastrim etnik, me vdekje përfundimtare të shpresës së ringjalljes, me fikje të një tradite që nuk ka guxuar të bëjë askush deri më sot, asnjë sundues i huaj, veç zjarrvënësve të vendit prej vesit, kureshtjes dhe inatit.

Për fat të keq, kësaj radhe, e ndërlidhur në këtë dramë ndaj Shqipërisë veriperëndimore, është ekzekutivi i Republikës italiane, gjegjësisht qeveria e saj e drejtuar nga zonja Meloni që do të duhej të kishte për detyrë të mbronte të drejtat e popullsisë së mbetur, porse përndryshe po ushqen me një alibi perfekte rrënimin dhe dëbimin e pjesës së fundit të popullsisë së mbetur në veri. Dhe, ky cinizëm pa kufi i saj në implementimin e beftë dhe të shpejtë të një plani të hartuar fshehurazi muaj më parë do të rëndojë fatalisht mbi ne. Po ashtu, dua të kujtoj se vendet evropiane mikpritëse dallohen për standarde shumë të larta të sigurisë publike, ndërkohë Shqipëria është një vend me rend publik të dërrmuar, organe ligjzbatuese me korrupsion galopant, me një trafik të qenieve njerëzore të pandalur, me organizata kriminale që operojnë lirshëm në territor. Dhe, pikërisht këtu, në hapësirën me kontroll më të dobët të ligjit, tentohet të sillet “lëndë të parë” për trafikime të reja. Kjo do të thotë mbajtje permanente të turbulencës, nënzhvillimit dhe shkatërrimit edhe të atyre pak përparimeve që janë bërë në fushën e turizmit në këto vite. Ky plan po tentohet të zbatohet në një kohë kur vendi nuk ka opozitë për shkaqe të ditura, ndërsa vetë partia drejtuese e vendit nuk ka asnjë lloj strukture ekspertize dhe oponencë konstruktive. Heronjtë zhurmëmëdhenj e kanë shurdhuar deri më sot arsyen njerëzore dhe politike, kanë ndërtuar frikën ndëshkimore në sistem, para së gjithësh për kryebashkiakët dhe deputetët socialistë.

Çfarë fatkeqësie është “të të rrahin dhe të fyejnë me mikrofon në dorë” dhe të mos jesh në gjendje të ngresh zërin për qytetarët që të kanë zgjedhur për t’i shërbyer dhe jo për t’i shtrënguar me dëbim?! Veprime të tilla të targetimeve të njëanshme dhe mentaliteti i përdorimit të një pjesë të territorit si geto e varfërisë, injorancës, krimit dhe strehimit të refugjatëve, ndërsa e një pjesë tjetër si breg i lulëzuar dhe krahina për investime strategjike duhet të ndalen. E di mirë se, në rrethanat aktuale kur jeta parlamentare është praktikisht e shuar, kur oponenca intelektuale është e paralizuar nga nënshtrimi prej rrogës së varur nga shteti, shumë pak mbetet për të zgjuar në arsyetimin shtetëror për korrigjim mbi bazë të drejtësisë të politikave të tilla, do t’i quaja pa droje, antikombëtare, të fazës përmbyllëse. Aq më pak pritet reflektim nga zonja Meloni: vetë përdorimi prej saj i metodave të marrëveshjes së fshehtë, të lëna pas nga diplomacia evropiane që nga viti 1919, të bën të kuptosh “ndjesitë e saj të sinqerta” ndaj një vendi që vuan.

Shfaqja e qartë e ligësisë, pandjeshmërisë, injorimit përfitues, egoizmit personal të saj pa u kujdesur për pasojat ka lënë një përshtypje të rëndë në vendin tonë, veçanërisht ndër komunitetet qytetare në Shëngjin, Lezhë, Zadrimë, Shkodër etj. Si është e mundur, që një targetim i tillë disproporcional dhe ky ngazëllim tinëzar vjen nga Roma e sotme zyrtare, nga kryeministrja e Italisë?! Shqiptarët e pazë sot presin që në shumicën qeverisëse në Itali, mendjet e kthjellëta të qendrës së djathtë evropianiste, vetë opozita e Qendrës së Majtë të ndikojnë, në mos në tërheqjen, së paku në modelimin e arsyeshëm e të pranueshëm të kësaj marrëveshjeje, të kushtëzojnë që liritë dhe të drejtat e publikut në Shqipëri të respektohen duke shmangur ndërhyrjet brutale të një kohë aksidentale imponimesh që nuk duhet të përsëriten. Është kjo arsyeja e shkrimit të këtyre radhëve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes së fshehtë shërbeu për krijimin e një pauze reflektimi. Ndërkohë, ndalja e përkohshme e dhjetorit nuk do të ketë asnjë rëndësi në qoftë se në vendimin e javës në vijim, kjo gjykatë nuk do të gjejë forcën karakteriale dhe profesionale t’i qëndrojë betimit mbi Kushtetutë, t’i shërbejë stabilitetit të Republikës, garantimit të sovranitetit shtetërore, paqes sociale dhe së ardhmes së nacionit tonë shumëvuajtur.

Në trend

Më shumë
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

La Liga
Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Fun
Kalo në kategori