Trajtimi jokonvencional shëndetësor ndalohet me ligj

Nëpërmjet një komunikate Ministria e Shëndetësisë thotë se ndalohet trajtimi dhe reklamimi i trajtimit shëndetësor jokonvencional, që në bazë të vlerësimit nga institucioni përkatës nga neni 31.1 nuk është i bazuar në faktet e shkencës së mjekësisë bashkëkohore.
“Fusha e trajtimeve, kushtet dhe mënyra e përdorimit të metodave jokonvencionale terapeutike përcaktohen në akt të veçantë nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë. Andaj, në Republikën e Kosovës është e ndaluar ushtrimi i këtyre veprimtarive”, thuhet në komunikatë.
Organet e rendit – sipas kësaj ministrie - janë kompetente për identifikimin apo paraqitjen para organeve të drejtësisë sepse kjo kundërvajtje apo vepër penale bëhet me baza të mashtrimit ordiner.
Kjo veprimtari është e ndaluar dhe sanksionohet përmes Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës përkatësisht nenit 22. Duke qenë se aplikimi i "metodave të trajtimit" nuk mund të konsiderohen "shëndetësore", sepse ato janë besëtytni e jo shërbime konvencionale shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë nuk është kompetente për "mbylljen" apo "ndalimin" e këtyre veprimtarive.
Ministria e Shëndetësisë konsideron se parandalimi i kësaj veprimtarie apo dukurie bëhet nëpërmjet ngritjes së nivelit të vetëdijes së qytetarëve përmes edukimit shëndetësor për rrezikshmërinë e kërkimit të shërbimeve nga jo profesionistët. /qik/telegrafi/




















































