Totaj shpreh zhgënjim për parregullsitë në rinumërimin e votave në Prizren, kërkon përgjegjësi dhe rivlerësim nga KQZ-ja

Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në këtë qytet, Shaqir Totaj, ka reaguar pas evidentimit të parregullsive gjatë procesit të rinumërimit të votave, duke e cilësuar situatën si cenim të drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve dhe të demokracisë zgjedhore.
Totaj ka deklaruar se është thellësisht i zhgënjyer me atë që ka dalë nga rinumërimi i votave në Prizren.
“Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake”, ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar se, në cilësinë e kryetarit të degës së PDK-së në Prizren, do të kërkojë përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë për çdo shkelje të konstatuar.
“Çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka theksuar Totaj.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Totaj ka siguruar se Partia Demokratike e Kosovës do të mbrojë vullnetin e votuesit dhe procesin demokratik.
“PDK di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij”, ka deklaruar ai.
Në fund, Totaj ka shtuar se parregullsitë e shfaqura në procesin zgjedhor, sipas tij të pranishme në parti të ndryshme, kërkojnë një rivlerësim tërësor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet përkatëse.
“Kërkohet një menaxhim i kujdesshëm i procesit të numërimit në mënyrë që të ruhet deri në fund mbarëvajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, ka përfunduar Totaj. /Telegrafi/




















































