LAJMI I FUNDIT:

TORTURA

TORTURA
Wislawa Szymborska

Poezi nga: Wislawa Szymborska
Përktheu: Maksim Rakipaj

Tortura
s’ka ndryshuar fare.
Trupi provon dhembje,
duhet të ushqehet, të marrë frymë dhe të flejë,
lëkura është e hollë dhe nën të – gjak,
i pajisur mirë me thonj e me dhëmbë,
me eshtra të brishta dhe kyçe që tërhiqen.
Në tortura llogariten edhe këto gjëra.


Asgjë s’ka ndryshuar.
Vetëm njerëzit janë shtuar,
dhe fajeve të vjetra, faje të reja u janë shtuar,
të vërtetë, të sajuar, të përkohshëm dhe të paqenë,
por klithma me të cilën trupi
do të përgjigjet, është
dhe do të jetë veç klithmë pafajsie,
sipas një regjistri dhe shkalle të përjetshme.

Asgjë s’ka ndryshuar.
Përveç ndoshta, mënyrave, ceremonive, vallzimeve.
Ama gjesti i duarve që mbrojnë kokën
ka mbetur i njëjtë,
trupi ndrydhet, përpëlitet, spërdridhet,
rrëzohet pa frymë, mblidhet kruspull,
irnoset, fryhet, shkumbëzon dhe gjakoset.

Asgjë s’ka ndryshuar.
Përveç rrjedhës së lumenjve,
kufijve të pyjeve, të brigjeve, të shkretëtirave dhe akujve.
Ndër këto mjedise endet shpirti,
zhduket, rikthehet, afrohet, largohet,
i huaj për vetveten, i parrokshëm,
herë i sigurt, herë i pasigurt për qenien e tij,
ndërsa trupi është, është, është
dhe strehë nuk gjen.