LAJMI I FUNDIT:

Topalli: Deputeti merr pagë 400 për qind më të madhe se mesatarja

Topalli: Deputeti merr pagë 400 për qind më të madhe se mesatarja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Faton Topalli, ka theksuar se deputeti i Kosovës, merr pagë 400 për qind me të madhe se një qytetar i zakonshëm në vend.

Ai në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se për dallim prej Kosovës, në Zvicër dallimi në mes pagës mesatare dhe pagës së deputetit, është vetëm 18 për qind.


“Paga e një deputeti atje, nuk është më shumë se e një mësuesi, një mekaniku ose një moleri. Duhet të kujdesemi që dallimi të ishte me i vogël”, ka theksuar Topalli.

Ai e ka pyetur kryeministrin për rishikimin e projektbuxhetit në tremujorin e parë, gjegjësisht se çfarë po bën Qeveria që të rritet rroga minimale në vend.

Mustafa, në përgjigjen e tij ka theksuar se ai nuk mund të ndërhyjë te sektori privat, sepse ai është i pavarur prej Qeverisë.

Ai duke folur për pagat ne sektorin publik, ka thënë se gjatë këtij viti nuk ka pasur rritje të pagave në sektorin publik.

“Punët e njëjta nuk kanë shpërblim të njëjtë. Jemi munduar që në ligjin për paga ta adresojmë këtë çështje. Jemi munduar të bëjmë një harmonizim sa i përket pagave të presidentit, kryeministrit dhe pagave të tjera”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka thënë se do të ekzekutojnë çdo vendim që merret në Kuvendin e Kosovës, duke shtuar se “ajo që ne kemi bërë, është që kemi propozuar ta ndalim trendin e rritjes së pagave ne sektorin publik”. /Telegrafi/