LAJMI I FUNDIT:

Tirana të mbështesë nismën britanike për Kosovën

Tirana të mbështesë nismën britanike për Kosovën

Britania e Madhe, e cila do të ketë presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB në muajin gusht 2018, pritet të konkretizojë nismën e saj të re diplomatike për të ndryshuar ritualin e deritanishëm të diskutimit të temës së Kosovës nga kjo trupë e OKB. Thelbi i nismës britanike qëndron në atë që Këshilli i Sigurimit të mos mbajë më sesionet rutinë publike çdo tre muaj për Kosovën dhe as të mos bëhen më raportet tremujore të UNMIK-ut për gjendjen në Kosovë. Nisma diplomatike britanike madje sugjeron që këto sesione të KS të OKB për Kosovën të hiqen fare dhe ajo tematikë t’i kalojë seksionit të çështjeve procedurale. Duke shpjeguar motivet e kësaj nisme diplomatike, ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, Matthew Ryncroft, deklaroi se “Është koha që Këshilli i Sigurimit të OKB të mblidhet më pak për këtë çështje. Ne duhet të fokusohemi te kërcënimet reale të paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare. Kosova nuk i përket kësaj kategorie”.

Logjika e nismës britanike është e drejtë dhe në kohë. Nga pikëpamja legale Kosova është një çështje e zgjidhur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që sanksionoi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe diskutimet çdo tre muaj për të në KS të OKB janë shndërruar në një akt joproduktiv dhe artificial. Dy shtetet, Serbia dhe Kosova, të cilat në bazë të një rezolute të OKB po zhvillojnë prej disa vitesh bisedime dypalëshe me ndërmjetësimin e BE, kanë nënshkruar marrëveshjen për anëtarësimin në BE, ku janë angazhuar ndërkombëtarisht të mos pengojnë njeri-tjetrin për të hyrë në BE. Praktika e deritanishme e sesioneve të rregullta tremujore të KS të OKB për Kosovën, që kanë qenë të hapura për publikun, nuk i ka shërbyer aspak qëllimeve të uljes së tensionit dhe as normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Serbia i ka përdorur këto sesione vetëm për qëllime propagandistike, duke u bërë vetë peng i një diplomacie obstruksioniste dhe të gjuhës së urrejtjes.


Nisma britanike ndërmerret në një kohë, kur BE ka hapur bisedimet e pranimit me Serbinë dhe kur po afrohet hapja e atyre kapitujve të traktatit të pranimit, të cilat përmbajnë kushtin e njohjes së Kosovës nga Serbia. Sesionet propagandistike tremujore në KS të OKB e pengojnë rrjedhshmërinë e shtrimit të rrugës për anëtarësimin e Serbisë dhe të Kosovës në BE.

Me këtë nismë Britania e Madhe jep një kontribut të rëndësishëm diplomatik në mënjanimin e tensioneve dhe në ripajtimin midis Serbisë dhe Kosovës. Nisma britanike ka rëndësi të veçantë, sepse e çliron Këshillin e Sigurimit nga shantazhi i përdorimit të vetos së Rusisë në sesionet tremujore për Kosovën. Rusia e ka përdorur dhe mund ta përdorë përsëri veton për Kosovën, jo vetëm si favor ndaj Serbisë, por edhe për qëllimet dhe pazaret e saj globale. Duke transferuar temën e Kosovës në seksionin e çështjeve procedurale mënjanohet e drejta e vetos nga Rusia dhe nga Kina, dhe Kosova pranohet si çështje, që është e zgjidhur, dhe që nuk duhet të jetë më objekt i sesioneve të KS të OKB. Nisma britanike ka fituar një përkrahje të fortë nga SHBA, Franca dhe shtete të tjera anëtare jo të përhershme të KS të OKB.

Nisma diplomatike britanike ka shkaktuar një alarm dhe shqetësim të madh në Serbi, sepse e privon diplomacinë serbe nga një shfaqje propagandistike nacionaliste. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e shprehu publikisht këtë shqetësim serb, kur deklaroi në 4 maj se “Britania e Madhe, Amerika, Franca dhe ata, që kanë njohur Kosovën, janë përpjekur për të ndryshuar formatin e diskutimeve mbi Kosovën në KS të OKB. Ata thonë se nuk ka probleme në Kosovë dhe se nuk ka nevojë për raporte tremujore. Nuk është e lehtë, por ne do të luftojmë”. Presidenti serb theksoi se pret mbështetje të hapur nga Rusia, dhe për këtë çështje Beogradi do të bisedojë edhe me “shokët kinezë”. Po në 4 maj ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç deklaroi se Serbia do të kërkojë që të vazhdojnë të mbahen rregullisht sesionet e hapura publike të KS të OKB për Kosovën.

Nisma diplomatike britanike i jep institucionit të KS të OKB një qëndrim dhe veprim më adekuat me situatën në Kosovë, një shtet 10 vjeçar i konsoliduar dhe i njohur nga më se 115 shtete anëtare të OKB. Pengesat dhe kundërshtimet, që po përpiqen t’i ngrenë kësaj nisme Rusia, Serbia dhe disa aleatë të tyre, këshillojnë një mobilizim të diplomacisë së Shqipërisë dhe të Kosovës në frontin diplomatik. Shqipëria dhe Kosova nuk mund vetëm të rrinë dhe të shikojnë se çfarë po bëjnë Britania e Madhe, Amerika, Franca dhe të tjerë shtete perëndimore në favor të Kosovës. Diplomacia e dy shteteve shqiptare duhet të ndryshojë marshet dhe t’i bashkëngjitet nismës britanike me një aktivizim të ri në arenën ndërkombëtare. Nuk është pengesë pse Shqipëria nuk është anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe Kosova nuk është anëtare e OKB. Diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të ngrejë zërin në arenën ndërkombëtare në planin dypalësh dhe shumëpalësh, që të ndihmojnë në krijimin e klimës për realizimin e nismës britanike në KS të OKB. Diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të jenë më aktivë në drejtim të rregullimit të hapave dhe të lëvizjeve të tyre me ato të diplomacisë së shteteve të mëdha perëndimore.

Kjo të bëhet kundrejt nismës britanike, por kjo të bëhet edhe kundrejt nismës së fundit pozitive të Francës. Franca, anëtare e përhershme e KS të OKB dhe një nga shtetet më të rëndësishme të BE, njoftoi kohët e fundit vendimin e saj për t’iu drejtuar nota proteste atyre shteteve, të cilat nën presion kanë tërhequr apo kanë ndërmend të tërheqin njohjen zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur. Parisi ka paralajmëruar se do t’u dërgojë nota proteste atyre shteteve, që do të ndërmarrin hapin e gabuar të tërheqjes së njohjes së Kosovës. Ky qëndrim diplomatik i Francës është i rëndësishëm, sepse i kundërvihet një tendence negative, të cilën e kanë financuar dhe sponsorizuar në shkallë ndërkombëtare Rusia dhe Serbia për të detyruar shtetet e varfra dhe të vogla që të tërheqin njohjen e Kosovës. Franca ka ndikim të madh në vendet e Afrikës, Azisë dhe të Amerikës Latine dhe paralajmërimi francez pritet të ketë efektin e vet pozitiv frenues për fushatën serbo-ruse. Francës iu bashkëngjit edhe Britania e Madhe, e cila publikisht e kritikoi Surinamin për tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Shqipëria dhe Kosova duhet t’i vlerësojnë dhe t’i përshëndesin këto qëndrime të rëndësishme të diplomacisë së Britanisë së Madhe, të Francës, të SHBA dhe të tjerëve në favor të Kosovës në arenën dhe në institucionet ndërkombëtare. Nuk kemi dëgjuar deri tani ta shprehin këtë vlerësim zyrtarisht, por është ende koha për ta bërë këtë. Shqipëria duhet ta kishte ndjekur menjëherë shembullin francez dhe do të duhej të kishte afishuar të njëjtin qëndrim lidhur me diversionin diplomatik rus dhe serb për të nxitur disa shtete që të tërheqin njohjen e Kosovës.

Tirana dhe Prishtina duhet të flasin me zë të lartë për të vlerësuar miqtë dhe për t’iu bashkëngjitur nismave diplomatike perëndimore në favor të Kosovës. Duhet ta bëjnë këtë edhe për t’i dërguar mesazh të qartë Serbisë apo Rusisë se veprimet e tyre negative ndaj Kosovës regjistrohen si akte armiqësore ndaj të dy shteteve shqiptare dhe ndaj kombit shqiptar. Shqipëria ka shënuar deficite në këtë drejtim. Ka krijuar edhe Kosova, disa zyrtarë të së cilës në vend që të angazhohen me këto nisma pozitive perëndimore, bëjnë lojën serbe për të armiqësuar Kosovën me shtete dhe me organizata ndërkombëtare dhe harrojnë se diplomacia kosovare ka nevojë për diplomatë dhe jo për priftërinj.

Shqipëria dhe Kosova duhet të dalin me qëndrime zyrtare në mbështetje të nismës diplomatike britanike. Diplomacisë së të dy shteteve shqiptare nuk i lejohet të harrojë se Kosova është interes jetik i kombit, barrën kryesore të të cilit duhet ta mbajnë dy shtetet shqiptare, duhet ta mbajë gjithë kombi shqiptar. Është fat dhe mrekulli e historisë që për Kosovën kemi aleatë të fuqishëm, që na mbështesin si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, etj., por ne duhet të tregojmë të parët se jemi ushtarë dhe roje të fatit të kombit.