LAJMI I FUNDIT:

Tirana po shkatërron të kaluarën e vet

Tirana po shkatërron të kaluarën e vet

Në 76 vjetorin e çlirimit të Tiranës, shtëpitë të cilat janë përdorur si baza gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, ose po u merret fryma nga pallatet ose janë shndërruar në të tilla. Kështu është edhe shtëpia e vëllezërve Huta, në rrugicën e të cilës kanë mbetur, por jo dhe për shumë kohë, një portë karakteristike e kohës dhe një shtyllë e vjetër.

Shtëpia e familjes Bega, edhe kjo bazë lufte në atë kohë, sot është kompleks pallatesh. Prej asaj shtëpie nuk ka mbetur më asgjë. Dhe, me kohen rrezikon të mos njihet nga askush as si emër …

Ndër të paktat që kanë mbetur është banesa e Ije Farkës, në të nuk kanë munguar investimet e reja, por edhe elementet karakteristike janë të pranishme.

Nipi i Ijes, Astrit Farka, tregon se disa italianë kanë treguar interes për disa objekte karakteristike të Tiranës, duke ua zëvendësuar me moderne

“Këtu ka qenë një portë e vjetër dhe para një-dy vjetësh erdhën disa inxhinierë nga këto që kishin një ekspozitë në Itali dhe thanë, ta marrim, merreni i thashë edhe sollën këtë portën tjetër”, thotë ai. “Ka qenë bazë e luftës dhe vite më vonë kjo u bë monument kulture. Sipas projektit thonë se këtu do bjeri rruga.”

Presidenti i shoqatës Tirana, Arben Tafaj, në 76-vjetorin e çlirimit të qytetit thotë se e vërteta e historisë së çlirimit nuk po tregohet siç është. Ai thotë se nëse dikur komunizmi persekutoi intelektualët e kohës, sot po zhduken godinat që mbartin histori.

“Ndryshimet demografike, pse jo dhe urbane të vendit jo vetëm që i zhdukën bazat, por po prishen dhe traditat urbane e këtij qyteti”, tha ai.

Ditë pas ditë, Tirana po humbet historinë e vet mes pallateve dhe ndërtimeve pa kriter. /Ora News/