Timothee Chalamet pohon se është stërvitur shtatë vjet në ping-pong për rolin e tij në filmin Marty Supreme
Timothée Chalamet ka zbuluar se ka kaluar shtatë vite duke u stërvitur në pingpong për filmin e tij të ri, Marty Supreme.
Aktori 29-vjeçar, i nominuar dy herë për çmimin Oscar, luan rolin e Marty Mauser, i cili bazohet në jetën e legjendës së pingpongut Marty Reisman në New York-un e viteve 40-ta.
Duke folur me Jimmy Fallon në emisionin The Tonight Show të mërkurën, Timothée shpjegoi se ishte plotësisht i përkushtuar për ta zotëruar këtë sport.
“Ky ishte një proces stërvitjeje prej rreth gjashtë deri në shtatë vitesh. U takova me [regjisorin] Josh Safdie në vitin 2018 për këtë film”.

“Nuk e kam fjalën për çdo ditë pa pushim, ishte më shumë me ndërprerje… Por ishte shumë stërvitje. Filloi gjatë COVID-it dhe pingpongu është një gjë fantastike”.
Ai shtoi: “Dhurata e jetës sime, ushtrimi i mirënjohjes. Çdo mëngjes zgjohem dhe them: ‘Uau. Për ndonjë arsye po më jepet mundësia të punoj.’ Pse të mos e jap 10,000% nga vetja?”.
Më parë, duke folur për BBC-n, ylli i filmit A Complete Unknown tha se do të stërvitej “sa më shumë që të ishte e mundur” gjatë kohës së lirë dhe me një trajner.
Kjo përfshinte edhe marrjen e një tavoline pingpongu në shkretëtirë gjatë xhirimeve të Dune dhe ushtrimet mes xhirimeve në setin e filmit Wonka.






































