LAJMI I FUNDIT:

A THUA JEMI NË LABORATOR?

A THUA JEMI NË LABORATOR?
Wislawa Szymborska

Poezi nga: Wislawa Szymborska
Përktheu: Maksim Rakipaj

Ndoshta gjithë kjo
Në një laborator po ndodh?
Nën një llambë të madhe ditën e miliarda llambushka natën?


Ndoshta jemi brez eksperimental?
Na hedhin nga një provëz në tjetrën,
na ngrohin me lambikë me alkool,
kush e di sa sy na vëzhgojnë,
e më në fund një nga një na kapin
me pinceta?

A mos është ndryshe:
askush nuk ndërhyn?
Ndryshimet ndodhin vetvetiu,
apo sipas planifikimit?
Shigjeta e diagramave shënon pak nga pak
zigzagët e parashikuar?

Ndoshta, s’u kemi ngjallur interes të veçantë deri tani?
Dhe monitorët e kontrollit i ndezin fare rrallë?
Vetëm në raste luftërash, sa më të mëdha, aq më mirë?
A vetëm kur fluturojnë pranë Tokës sonë të shkretë?
Apo vetëm në raste lëvizjesh masive nga pika A në pikën B?

Po sikur të jetë e kundërta:
Mos u pëlqejnë vetëm gjërat e imta?
Ja: duket një vajzë e re në ekranin e madh.
Po qep kopsën në mëngën e një këmishe.

Ndjesorët fishkëllejnë, zile, alarm,
personeli vrapon.
Ah, krijesëz e ëmbël
me atë zemrën e vogël që i rreh në krahëror!
Ç’magjepsje hijerëndë
kur shkon fijen në gjilpërë!
Dikush i ngazëllyer bërtet:
Shpejt! Shpeeejt!
Lajmëroni të vijë ta shohë Shefi vetë!