Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë thirrje që të respektohet Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të ndalohet çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve gjatë festave të fundvitit.

Sipas një njoftimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se me afrimin e festave të fundvitit dhe rritjen e kërkesës për produkte dhe shërbime, Autoriteti i Konkurrencës u bën apel të gjitha bizneseve dhe operatorëve ekonomikë që të përmbahen nga çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.


“Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut, kufizimin e konkurrencës apo abuzimin me pozitën e përbashkët dominuese, përbën shkelje të rëndë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe është subjekt i sanksioneve ligjore. Festat e fundvitit nuk duhet dhe nuk do të shfrytëzohen për abuzim me konsumatorët, për rritje të koordinuara të çmimeve apo për praktika që cenojnë konkurrencën e lirë dhe të ndershme në treg”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se çmimet duhet të reflektojnë kushtet reale të tregut dhe jo marrëveshje të ndaluara, sjellje spekulative apo shfrytëzim të pozitës së përbashkët në treg.

“Në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti ka kompetencë të inicjojë dhe zhvillojë hetime për shkelje të konkurrencës deri në pesë (5) vite mbrapa, përfshirë edhe periudhën e festave të fundvitit. Që nga fillimi i muajit Dhjetor dhe deri në fund të këtij muaji, të gjithë inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës do të jenë çdo ditë në terren në çdo qytet të Republikës së Kosovës, duke monitoruar me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet dhe rritjet e çmimeve në treg”.

AKK-ja u ka bërë thirrje bizneseve që:

1. Të veprojnë në përputhje të plotë me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës;

2. Të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve apo sjelljeve të koordinuara;

3. Të mos abuzojnë me pozitën e përbashkët ose fuqinë e tyre në treg;

4. Të tregojnë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë festive.

“Njëkohësisht i inkurajomë konsumatorët të raportojnë çdo dyshim për rritje të pajustifikuar ose të koordinuar të çmimeve, në mënyrë që Autoriteti të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore. Dyshimet e tilla mund të dërgohen edhe përmes emailit zyrtar: info.konkurrenca@rks-gov.net. Respektimi i ligjit dhe i konkurrencës së lirë është detyrim ligjor dhe interes i përgjithshëm për biznese, konsumatorë dhe ekonominë e vendit”.