Theret për vdekje një zëvendëspresidente e "Bank of America"

Një zëvendëspresidente e Bank of America, Erin Piacenti, mbeti e vdekur të hënën në një sulm me thikë në Times Square.
“Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar nga humbja tragjike e koleges sonë. Ajo ishte një anëtare e çmuar e ekipit tonë dhe do të na mungojë shumë. Zemrat tona janë me familjen e saj dhe të gjithë të dashurit e saj”, tha gjiganti bankar amerikan në një deklaratë dërguar me email reuters.
Piacenti, e cila ishte zëvendëspresidente për përzgjedhjen e bizneseve dhe konfliktet në bankë, vdiq në spital nga plagët e marra gjatë sulmit me thikë, sipas një raportimi të Bloomberg News, i cili publikoi i pari lajmin.
Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani, tha të hënën në një konferencë për media se një grua, e cila mbante disa thika, goditi me thikë dy persona në Times Square, para se policia të përdorte “taser” dhe të hapte zjarr.
Sipas policisë, 49-vjeçarja Pamela Cisneros nxori papritur disa thika kuzhine. Fillimisht ajo sulmoi një 68-vjeçar, i cili sapo kishte dalë nga metroja. Më pas, ajo iu vërsul Piacentit dhe e goditi me thikë në bark.
Pas kësaj, gruaja u drejtua drejt policëve, duke mbajtur thikat në duar. Policët hapën zjarr ndaj saj dhe sulmuesja vdiq në vendngjarje.
Piacenti u dërgua në spital, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin. Ndërsa 68-vjeçarja vazhdon të jetë e shtruar në spital dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Sipas “New York Post”, sulmuesja kishte probleme të shëndetit mendor. /Telegrafi/








































