LAJMI I FUNDIT:

Themelimi i ushtrisë, përplasje e institucioneve apo e politikës?

Themelimi i ushtrisë, përplasje e institucioneve apo e politikës?

Çështja e themelimit të Ushtrisë së Kosovës apo miratimi i një projektligji për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat ushtarak, ka nxjerrë në pah mospajtimet e faktorit ndërkombëtar, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, përballë institucioneve të larta të Kosovës, por edhe mospajtimin ndërmjet vetë drejtuesve të institucioneve të larta të vendit.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ditën e shtunë, ka theksuar qëndrimin e tij të prerë se problemi i themelimit të Ushtrisë së Kosovës duhet të zgjidhet “në koordinim me Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”. Siç ka thënë ai, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin themelimin e Ushtrisë së Kosovës, por kërkojnë që ky themelim të bëhet në bashkëpunim dhe në bashkërenditje me ta”.


“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kemi bërë këtë shtet që e kemi dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i ndërtojmë edhe institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës. Do ta kemi edhe ushtrinë edhe miqësinë, por edhe përkrahjen e Shteteve të bashkuara të Amerikës dhe NATO-s”, ka thënë Mustafa.

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka këmbëngulur në procedimin e projektligjit të hartuar nga zyra e tij për transformimin e FSK-së në një ushtri të Kosovës, duke e arsyetuar këtë me pamundësinë që të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese për formimin e ushtrisë, për shkak të bllokimit nga ana e deputetëve të Listës Serbe.

“Transformimin e bëjnë të nevojshëm edhe zhvillimet në rajon dhe nevoja në Kosova të forcojë mekanizmat mbrojtës të vendit”, pati deklaruar Thaçi.

Presidenti Thaçi, madje ka deklaruar se do të japë dorëheqje në rast se ligjvënësit nuk e miratojnë propozimin e tij për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Artan Muhaxhiri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se qasja e presidentit Thaçi dhe ajo e kryeministrit Mustafa, lidhur me formimin e ushtrisë, shpërfaqin përplasje ndërmjet dy drejtuesve të institucioneve më të larta të vendit.

Sipas tij, në rast se kryeministri Mustafa nuk pajtohet me qasjen e presidentit Thaçi, atëherë, siç thotë ai, kryeministri duhet ta shpalosë publikisht strategjinë ose alternativën se si mund të bëhet ushtria.

“Në fakt, kjo mund të jetë më shumë politike sepse presidenti Thaçi e ka dominuar skenën politike këto javë dhe në fakt kjo i shkon në dëm kryeministrit Mustafa, si faktor politik, por edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. E kjo është posaçërisht e rëndësishme nëse jemi në një periudhë para zgjedhjeve, sepse me këtë konstelacion edhe në Kuvend, por edhe me pakënaqësitë e fundit, kjo Qeveri nuk ka shumë gjasa që ta çojë mandatin në fund”, tha Muhaxhiri.

Ditë më parë, zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Michelle Schohn, i tha Radios Evropa e Lirë në një përgjigje me shkrim, se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës që çon drejt ndryshimeve Kushtetuese”.

Analisti Muhaxhiri, vlerëson se që nga shpallja e pavarësisë së vendit, në vitin 2008, është hera e parë që institucionet e Kosovës nuk janë në një zë me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare insiston që ndryshimi ose transformimi i ushtrisë të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese, atëherë ajo duhet të garantojë se do të ndikojë te pakica serbe dhe te Beogradi zyrtar, që kjo punë të bëhet. Nuk është aspak e drejtë që të kërkohet një akt nga ana e politikës kosovare e që realisht është i pamundur”, tha Muhaxhiri.

Sido që të jetë, në vitin 2014, përplasjet e subjekteve politike rreth çështjes së ushtrisë së Kosovës, e patën çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. /REL/

Foto: Arkiv

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Lajme
​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

Politikë
Kalo në kategori