LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Nuk do të lejojmë ndarje as Republikë Serbe brenda Kosovës

Thaçi: Nuk do të lejojmë ndarje as Republikë Serbe brenda Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e mbajtur pas kthimit nga Berlini ka thënë se në këtë takim delegacioni kosovar ka kërkuar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë i pakushtëzuar.

Thaçi ka thënë se taksa e vendosur është e drejtë legjitime dhe se sipas tij nëse Serbia vazhdon të sillet në mënyrë agresive do të mund të shkohet edhe më tutje.


“Sa i përket pjesëa së takimit lidhur me pozicionet e dy vendeve, dialogu Kosovë-Serbi mund të vazhdojë i pakushtëzuar. Taksa është e drejtë legjitime do të mbetet në fuqi, dhe nëse Serbia vazhdon të sillet në mënyrë agresive ne mund të shkojmë edhe më tutje. Ishte gjithashtu mesazh i qartë i kancelares Merkel dhe presidentit Macron për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për Kosovën dhe Serbinë. Pozicioni i Kosovës është i qartë, Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte”, ka thënë ai.

Thaçi ka përmendur edhe rolin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në këtë proces duhet një domosdoshmëri më e lartë e BE-së. Këtu duhet respektuar gjithmonë rolin e ShBA-së. ShBA-të siç kanë qenë gjithmonë të qarta, si edhe letra e presidentit Trump si udhërrëfyes për marrëveshjen përfundimtare Kosovë Serbi. Në duam një marrëveshje legale në kuptimin obligativ ndërkombëtar, marrëveshje që mbyll të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve”, është shprehur ai, transmeton Telegrafi.

Ndër të tjera ai ka treguar edhe për takimin e ardhshëm që do të mbahet në Paris, e që sipas tij ky takim do të jetë më dinamik sa i përket arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shpresoj që takimi i ardhshëm që do të ndodhë në Paris do t’i jap dinamik tjetër dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, shpresoj të jetë dialog i pakushtëzuar. Nuk do të lejojmë asnjë sovranitet të dyfishtë në Kosovë, asnjë asociacion me elemente ekzekutive, mund të ketë ndonjë organizim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Po ashtu kemi potencuar se modeli gjermano-gjerman është i tejkaluar. Mirëpo në asnjë rrethanë nuk lejojmë të hidhen ide për ndarje të Kosovës, apo për krijimin e një modeli Republika serbe”, ka theksuar ai.

Thaçi: Nga takimi i Berlinit kemi sinjalet e para për liberalizim të vizave
Lexo po ashtu Thaçi: Nga takimi i Berlinit kemi sinjalet e para për liberalizim të vizave

I pari i vendit ka thënë se në takimin e ardhshëm delegacioni i Kosovës do të punoj më shumë në mënyrë që sipas tij të ketë rezultate më konkrete.

Ai po ashtu përmendi edhe gjenocidin që është bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit, e që sipas tij duhet kërkuar drejtësi për këtë gjenocid.

“Mendoj që në Paris do të jemi një ekip më e gjerë politike e bartësve të institucioneve të Kosovës, natyrisht duke e respektuar protokollin që planifikon shteti francez dhe zyra e kancelares Merkel. Do të punojmë që të kemi një përgatitje të mirë që sjell rezultat konkret. Jam optimist që gjërat do të shkojnë në drejtim të duhur. Kosova në Berlin është ndarë mirë. Pozicioni ka qenë i qartë. Ka qenë kushtetues ligjor, në përputhje me standardet dhe kriteret evropiane. Kemi theksuar qartë se duhet të ndodh dënimi gjenocidit të kryer në Kosovë, ku për këtë falenderoj Kongresin Amerikan që ka dëgjuar rrëfimet tronditëse të kryera gjatë luftës në Kosovë. Kemi të bëjmë me një drejtësi zero të kryer nga sistemi ndërkombëtar dhe pretendimin për baraspeshën mes gjenocidit të Serbisë dhe ndonjë gabimi apo pretendimi për drejtësi selektive”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, Samiti i Berlinit i cili u mbajt të hënën, ishte një takim në të cilin u diskutuan çështjet e vendeve të Ballkanit Perendimor për të ecur sa më shpejt dejtë rrugës së integrimeve evropiane. /Telegrafi/